Gjosha: Hapja e negociatave me BE-në, ndihmë për të finalizuar reformat

20/12/2015 11:20

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, mori pjesë në konferencën “Integrimi i Ballkanit Perëndimor, mision për tu përmbushur”. Në këtë konferencë, që u zhvillua në Suedi, morën pjesë ministrat e integrimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, Komisioneri për Politikat Europiane dhe Negociatave të Zgjerimit të Bashkimit Europian, Johannes Hahn dhe Ministrja e Punëve të Jashme të Suedisë, Margot Wallstrom.

Në fjalën e saj, ministrja Gjosha u shpreh se shqiptarët sot janë një prej popujve më proeuropianë. Ministrja Gjosha theksoi se Shqipëria është një vend ku njerëzit jetojnë në harmoni të plotë, një model i tolerancës fetare dhe hapja e negociatave do të shërbejë për të mbajtur edhe më të fortë besimin që te Europa e Bashkuar.

“E them këtë pasi veçanërisht në ditët e sotme, besimi në Projektin Europian, ka një vlerë të veçantë, në një kohë kur kërcënime të ndryshme bëhen prej terrorizmit apo edhe skepticizmit i cili është i dukshëm madje edhe në vende që kanë qenë themeluesit e këtij Unioni”, deklaroi Gjosha.

Ministrja Gjosha ritheksoi se duke krahasuar Shqipërinë me vendet e tjera të rajonit, raporti i fundit i Komisionit Europian vë në dukje se vendi ynë është në drejtimin e duhur dhe ka rezultate të njëjta në shumë fusha,  me vende të cilat janë një hap përpara nesh me procesin e integrimit.

“Në këtë konteksti, hapja e negociatave për Shqipërinë është shumë e rëndësishme. Ky hap do të theksojë edhe njëherë faktin se kemi të bëjmë me një proces i bazuar mbi parimin e meritës dhe që  do të na ndihmojë të mbajmë këtë ritëm për vijimësinë e reformave”, tha ministrja Gjosha. 

Ministrja Gjosha u shpreh se ndonëse nuk do të ketë zgjerim në 5 vitet e ardhshme, ky proces duhet të vazhdojë, duke na ndihmuar ne të bëhemi gati,  për të arritur standartet e anëtarësimit.

“Hapja e negociatave dhe kapitujt janë mënyra më e mirë për ne për të modernizuar, ndërtuar institucione të forta dhe shtetin e të drejtës. Sigurisht që  kërkohet shumë punë nga ana jonë për të vazhduar me procesin e reformave, por nga ana tjetër vendet anëtare duhet të jenë pak më shumë fleksibël dhe të hapur ndaj nesh”, tha Gjosha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA