Divjakë, studiuesit promovojnë parkun e pasur natyror

20/12/2015 00:00

Parku Kombëtar i Divjakës është një mjedis i mrekullueshëm për t’u vizituar në dimër. Natyra, bota bimore dhe shtazore janë një muze i bukur për t’u parë, por fare pak turistë e bëjnë këtë.

Kryesisht janë të huajt më të interesuarit, por edhe një grup anëtarësh të shoqatës AOS dhe gazetarë të medias së shkruar në vende të ndryshme janë bërë pjesë e këtij turizmi vetëm për një ditë, me qëllim promovimin e vlerave të këtij parku.

Rreth 100 të huaj vizitojnë parkun në një muaj gjatë sezonit të dimrit. Sipas specialistit të parkut, Ervin Allushi, administrata e zonave të mbrojtura nuk ka kapacitetet e duhura për të zhvilluar këtë lloj turizmi, pasi mungon sinjalistika dhe infrastruktura për turistët.

“Ka rreth 140 lloj shpendësh, që turistët e huaj kërkojnë t’i vështrojnë. Ka shumë turistë që kalojnë këtej dhe nuk marrin ndihmën tonë për t’i shoqëruar. Aktualisht nuk kemi sinjalistikën e duhur, por jemi duke marrë masat e duhura që në të ardhmen të krijojmë një infrastrukturë të dobishme me një sinjalistikë përkatëse”, tha Ervin Allushi, specialist i parkut.

“Birdëatching” ka qenë një ditë e organizuar nga Taulant Bino, profesor i Shkencave të Natyrës, dhe një grup dashamirësish të natyrës. Sipas tij, Karavastaja është zona më e rëndësishme për shpendët në Shqipëri, me numrin më të lartë të shpendëve të shpërndarë në një mozaik habitatesh, përfshirë ligatina, lumenj, ujëra bregdetare, pyje me pisha etj.

“Turistët mund ta përdorin Karavastanë gjatë gjithë vitit, madje më shumë gjatë dimrit sesa gjatë verës. Shpendë ka me shumicë në këtë lagunë ku jemi. Janë rreth 70 lloje shpendësh, që mund të kundrojmë. Sot kemi 5-6 lloje rosash këtu, flamingo, çafka, pulëbardha, karabullakë, zhytësa”, tha Taulant Bino.

“Besoj se është një segment shumë interesant në tregun e turizmit, shikimi apo kundrimi i zogjve, pasi shkon shumë mirë edhe me pjesën tjetër të turizmit në Shqipëri. Është një aktivitet që shtrihet gjatë gjithë vitit, mund të bëhet edhe në dhjetor apo janar, si dhe është një kombinim shumë i mirë i aktivitetit fizik me aktivitetin kulturor, por edhe me kulinarinë”, thotë Gjergj Erebara, gazetar i “BIRN”.

Laguna e Karavastasë strehon gjatë gjithë vitit mbi 245 lloje shpendësh, nga 330 të vrojtuara në të gjithë Shqipërinë. Është mëse e njohur për tufat e shumta të shpendëve shtegtarë dhe dimërues, rosave dimëruese, baltakëve të vegjël, dhe fluturimin spektakolar të pelikanit kaçurrel, simboli i Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta.

Speciet e pritshme që mund të shihen nga turistët këtë sezon janë pelikani kaçurrel, çafkat, hutat, shqipet, rosat e egra, baltakët.

Top Channel