Mark Frroku, javën e ardhshme nis hetimi i pasurisë

19/12/2015 18:15

Prokuroria e Krimeve të Rënda do të fillojë gjatë javës së ardhshme hetimin pasuror për ish-deputetin Mark Frroku.

Prokuroria e Përgjithshme, pasi ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë kërkesën për gjykim për të pandehurin, të akuzuar për vrasje; fshehje pasurie; pastrim të produkteve të veprës penale dhe ndërtim të paligjshëm, i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda hetimin pasuror, duke qenë se kjo strukturë është përgjegjëse për zbatimin e ligjit “Antimafia”.

Në këtë mënyrë, krahas akuzave të ngritura nga Prokuroria e Përgjithshme, tashmë ish-deputetit Mark Frroku do t’i duhet të justifikojë pasuritë e akumuluara, për të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se vijnë nga trafiku i lëndëve narkotike dhe shfrytëzimit të prostitucionit në vitet 1998-2002, në Belgjikë dhe Holandë.

Nga hetimet e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila e ka dorëzuar dosjen në Gjykatën e Lartë ditën e mërkurë, ka rezultuar se i pandehuri Frroku ka fshehur mbi 2 milionë dollarë, ndërkohë që nuk rezultojnë burime të ligjshme edhe për pasuri të krijuara më parë, në vlerë rreth 700 mijë euro.

Pikërisht këto shuma Frrokut do t’i duhet t’i justifikojë me burime të ligjshme në kuadër të hetimit që do të zhvillohet në Prokurorinë për Krimet e Rënda.

Top Channel