Dëmtohet projekti i Tushemishtit, paralajmërohen gjoba për autorët

19/12/2015 00:00

Investimet që e kthyen Tushemishtin në një qendër të vizitueshme dhe turistike janë duke u dëmtuar me shpejtësi, duke e kthyer fshatin në një gjendje mjerane.

Degradimi ka ndodhur në vendin ku është shtatorja e personazhit të filmit “Zonja nga Qyteti”, tashmë i kthyer në treg, ku një banesë e ndërtuar pa leje shkarkon ujërat e përdorura dhe ku stolat e tabelat informuese për vizitorët janë shkulur.

Dëmtimet kanë ardhur pas lënies totalisht jashtë vëmendjes së autoriteteve, por edhe ndërhyrjes së jashtëligjshme të banorëve përreth, që po dëmtojnë elementët që e kthyen fshatin në një vend turistik që u sillte atyre të ardhura.

Dëmet janë konstatuar edhe nga drejtuesit vendorë, të cilët duke vlerësuar investimin që i hapi dyert turizmit, theksojnë se e vetmja mënyrë për ta ruajtur atë është ndërmarrja e masave dhe vendosja e gjobave për ata që shkaktojnë dëme.

“Do të reagohet ndaj kujtdo që sjell jo vetëm probleme shkatërrimtare. Edhe nëse ndodh diçka e vogël do të merren masa”, ka deklaruar Ëngjëll Shyti, administrator i Buçimasit.

Tushemishti ndjeu direkt të ardhurat që solli në çdo shtëpi të fshatit ky projekt. Por dëmtimi i vazhdueshëm do ta kthejë atë sërish në fshatin e izoluar, ku turistët vinin afër, por asnjëherë brenda tij.

Top Channel