Tatimet, 6 paga shpërblim nëse arrijnë objektivat

18/12/2015 14:10

Një vendim i fundit i Qeverisë i jep të drejtën punonjësve të administratës tatimore të përfitojnë deri në 6 paga shpërblim në vit nëse arrijnë një pjesë të objektivave të planit.

Vendimi i botuar në fletoren e fundit zyrtare i lë administratës tatimore të përdorë deri në 2 përqind të të ardhurave totale për investime të brendshme, por edhe shpërblime.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mbledh mesatarisht 150 miliardë lekë në vit të ardhura, çka do të thotë se përmes këtij vendimi, qeveria i ka dhënë të drejtën administratës tatimore të përdorë për investime dhe shpërblime rreth 3 miliardë lekë ose mbi 21 milionë euro në vit.

Sipas vendimit, do të jetë ministri i Financave ai i cili përmes një udhëzimi do të përcaktojë se ç’pjesë e fondit do të përdoret për investime dhe ç’pjesë për shpërblimin e tatimorëve, ndërsa ndarja e shpërblimeve do të jetë atribut i Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.

Por cilat janë kriteret për ta përfituar atë? Sipas vendimit të qeverisë, administrata tatimore ka të drejtën për shpërblime nëse në një periudhë gjashtëmujore e tejkalon planin të paktën në tre muaj.

Qeveria ka vendosur që të drejtën për shpërblime ta kenë vetëm tatimet, ndërsa doganat nuk do të përfitojnë nga ky shpërblim. Nga ana tjetër vendimi për shpërblimet vjen në një kohë kur qeveria në korrik u detyrua të ulte me 22.3 miliardë lekë planin e të ardhurave nga tatimet dhe doganat për shkak të ecurisë së dobët në mbledhjen e tyre gjatë gjysmës së parë të vitit.

Top Channel