Rreziku nga terrorizmi, ministri Orlando në Tiranë: Të koordinojmë bashkëveprimin

18/12/2015 00:00

Rreziku nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm ka sjellë në Tiranë ministrin italian të drejtësisë, Andrea Orlando, i cili po zhvillon një seri takimesh me autoritetet shqiptare.

Së pari zoti Orlando është takuar me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, me të cilin ka biseduar mbi mënyrat e bashkëpunimit për t’i bërë kontrast këtyre fenomeneve.

“Kemi një bashkëpunim intensiv me autoritetet italiane, veçanërisht kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, por edhe në sfidat që kanë prekur rajonin dhe Bashkimin Europian”, deklaroi Tahiri në konferencën e përbashkët për shtyp.

Ai bëri me dije se, “në takim kemi shkëmbyer pikëpamje për çështje që shqetësojnë të dyja vendet, në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi pasur deri më sot, por mbi të gjitha kundër terrorizmit”.

“E kemi ndarë mendjen se ajo që kemi bërë është rezultati më i mirë për të siguruar mbarëvajtjen e sukseshme. Shpresojmë të kemi rezultate të qëndrueshme duke ndërtuar kapacitete të duhura njerëzore dhe infrastrukturore”, vijoi Tahiri.

Ndonëse u shpreh i vetëdijshëm që “këto sfida janë të tilla që nuk njohin kufij”, ministri shqiptar shprehu dhe vullnetin që “bashkëpunimi mes dy vendeve dhe agjencive ligjzbatuese të prodhojë atë që duan qytetarët shqiptarë dhe ata italianë në luftën kundër terrorizmit”.

“Kemi biseduar për sfidat e përbashkëta, masat dhe hapat konkretë të ndërmarrë dhe hapat që duhen ndërmarrë”, shtoi Tahiri.

Ndërsa ministri Orlando, në fjalën e tij nënvizoi nevojën që “bashkëpunimin e shkëlqyer” që dy vendet kanë në luftën kundër krimit ta vënë në shërbim edhe të luftës ndaj terrorizmit.

“Këtë bashkëpunim duhet ta vëmë në shërbim të luftës kundër emigracionit klandestin dhe terrorizmit xhihadist”, tha Orlando.

Ai sqaroi se, “këtu nuk bëhet fjalë për të përmbushur sisteme ligjore, por për të koordinuar kompetencat mes dy subjekteve të ndryshme”.

“Plani i veprimit konsiston në 3 pika kyçe: shkëmbimin e informacioneve në kohë reale, përgatitjen e operatorëve të gjyqësorit dhe policisë dhe reagimi i përbashkët”, tha Orlando.

Një element tjetër i rëndësishëm, sipas tij, është ekzekutimi i dënimit me burg. “Në këtë kuadër mendoj se këto masa që parashtrova mund të aplikohen, me qëllim parandalimin e fenomenit të radikalizimit, që si në Itali dhe në Shqipëri po vihen re”, tha Orlando.

Gjithashtu, vlerësoi ai, bashkëpunimi mund të shtrihet edhe tek rreziku që kanoset nga ekstremizmi përmes rrjeteve sociale, edhe kjo në dy pika.

“Ne mund të bashkëveprojmë edhe përsa i përket parandalimit të fenomeneve të ndryshme, duke luftuar ato subjekte që shprehin urrejtjen përmes rrjeteve sociale, apo i përdorin ato për rekrutimin e personave në grupet terroriste. Dhe në fund dua ta përmbledh duke apeluar që të përballemi me këto çështje sikur të ishim një trup i vetëm, sepse armiqtë janë të përbashkët dhe e përbashkët duhet të jetë dhe mënyra jonë e veprimit”, vijoi Orlando.

Ndërkaq, në takimin me homologun e tij shqiptar Ylli Manjani, veç luftës kundër terrorizimit, diskutimet u fokusuan dhe në një pikë tjetër. “Biseduam për cështjen e transferimit të shtetasve shqiptarë dhe jo vetëm, që janë dënuar në itali dhe shqipëri. ramë dakord për një plan veprimi dhe një kalendar pune, që ka të bëjë jo vetëm me shkëmbimin e personave por edhe përvojave”, tha Manjani.

E pikërisht nga Tirana, ministri Orlando iu përgjigj dhe kërcënimit të ardhur ndaj tij nga grupet terroriste. “Ne do të vijojmë luftën tonë kundër këtyre kriminelëve vrasës dhe përgjigjia është pikërisht këtu, që unë jam sot me ministrin Manjani duke folur sesi ta çojmë përpara këtë aksion”, tha Orlando.

Top Channel