Reforma në drejtësi, Venecia miraton draftin paraprak

18/12/2015 15:05

Komisioni i Venecias miratoi draftin paraprak të opinionit mbi reformën në drejtësi, duke nxitur palët të punojnë në hartimin e një projekti konkret me propozimet dhe shqetësimet e ngritura.

Opinioni i ekspertëve të Venecias mbështet nevojën për reformë në drejtësi, por u lë kohë deri në janar ekspertëve shqiptarë të japin zgjidhje për shqetësimet e ngritura në këtë dokument.

Shqetësimet kanë të bëjnë kryesisht me organizimin e institucioneve të reja që krijojnë probleme me kontrollin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ngrënë pikëpyetje rreth mënyrës sesi emërohen gjyqtarët, si dhe me garancitë e tyre gjatë testimit.

Komisioni i Venecias përkah riformatimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Prokurorisë, por thotë se është shqetësuese prania e kudogjendur e Ministrisë së Drejtësisë.

Gjithashtu, në draft vihet në pikëpytje propozimi për ndërprerjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe u kërkon ekspertëve shqiptarë të përcaktojnë se çfarë lloj pavarësie do të ketë zyra Prokurorit të Përgjithshëm nëse do të ketë decentralizim apo parashikohet vetëm pavarësi nga qeveria.

Në tërësi, opinioni i ndërmjetëm i Komisionit të Venecias i lë problemet hapur, pa një zgjidhje përfundimtare, të cilën do të duhet ta gjejnë ekspertët shqiptarë në raport me pikëpytjet që ngre Komisioni i Venecias.

Ekspertët e tij do të vijnë në janar në Shqipëri për të diskutuar sërish me ekspertët e të dyja palëve dhe do të ndihmojë Komisionin e Posaçëm të përgatisë draftin final me paketën e reformës në drejtësi. 

Top Channel