Protestat kundër ndotjes së ajrit në Tetovë mund të përshkallëzohen nëse pushteti vazhdon të injorojë thirrjet e qytetarëve për zgjidhjen e këtij problemi.
Të premten, pas përfundimit të protestave në sheshin e qytetit, një grup të rinjsh kanë hedhur me vezë dhe shishe me benzinë në drejtim të ndërtesës së Komunës së Tetovës.
Pjesëtarët e policisë nuk kanë ndërhyrë, ndërsa situata nuk ka dalë nga kontrolli falë ndërhyrjes së shpejtë të organizatorëve, të cilët kanë arritur të bindin turmën që të shpërndahet.
Paraprakisht, në sheshin e Tetovës u tubuan mijëra qytetarë me parulla antiqeveritare në duar. Organizatorët e protestave i parashtruan 3 kërkesa pushtetit qendror dhe atij lokal për zgjidhjen e problemit me ndotjen e lartë të ajrit.
Ata kanë kërcënuar se do të bllokojnë rrugët dhe institucionet nëse kërkesat e tyre nuk realizohen deri më 25 dhjetor.
“Së pari kërkojmë të ndërpritet menjëherë puna e impiantit të Jugohromit. Pika e dytë është që zhvendosja e kompleksit nga hyrja e qytetit të bëhet sa më parë. Dhe kërkesa e tretë është që të ndalohet qarkullimi i të gjitha automjeteve pa standarde ekologjike”, deklaroi Arjanit Xhaferi, një prej organizatorëve.
Protestat u mbështetën nga shumë organizata joqeveritare, intelektualë, si dhe disa persona publikë nga Tetova. “Të jetosh afër malit Sharrë dhe të kesh ajrin më të ndotur në botë, kjo është katastrofë e madhe”, u shpreh Arif Zyberi, këngëtar i grupit Elita 5.
Demonstruesit paralajmëruan shtetin se nëse nuk gjen zgjidhje të shpejtë për gjendjen kritike me ajrin e ndotur, protestat do të zhvendosen para godinës së qeverisë në Shkup.
Top Channel