“Kosova e Re”, nënshkruhet memorandumi i mirëkuptimit me “CG”

18/12/2015 00:00

Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe kompania amerikane “Contour Global” kanë nënshkruar këtë të premte memorandumin e mirëkuptimit për Termocentralin “Kosova e Re”, projekt ky që kap një vlerë prej një miliard eurosh dhe pritet të përfundojë mes viteve 2021-2022.

Ministri i Zhvilimit Ekonomik, Blerand Stavileci tha se, ky nënshkrim vjen pas një dite tjetër po kaq të rëndësishme të përurimit të linjës së interkoneksionit me Republikën e Shqipërisë. Ndërsa bashkë me kryeshefin ekzekutiv për Europën Juglindore të “Contour Global”, Garry Levesley, ministri Stavileci tha se, Kosova po zgjidh përfundimisht problemin e furnizimit me energji.

“Po flasim për një termocentral, që do të ketë një kapacitet prej 500 MW, e që do t’i përmbushë të gjitha standardet mjedisore, për të cilin nuk do të duhet kontribut nga buxheti i shtetit tonë dhe që ka një projeksion të kostove, tarifave të energjisë elektrike të përballueshme. Gjithashtu, neve do të na japë mundësi që vitet e ardhshme të kemi mundësinë – dhe nëse duhet, – të krijojmë mekanizma me të cilat do t’i zbusim edhe më shumë këto tarifa”, tha Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik.

“Duke pasur parasysh investimin e madh prej një miliard eurosh, ai do të shtojë edhe prodhimin vendor bruto me 1 për qind, gjithashtu do të përmirësojë në masë të madhe sigurinë në furnizimin me energji elektrike në vend. Ju nuk do të keni më nevojë të mbështeteni në vullnetin e mirë të shteteve fqinje për t’iu furnizuar me energji elektrike, kur ka mungesa në vend. Mund t’iu siguroj se, ne do të sjellim me vete të gjitha njohuritë, ekspertizat dhe përvojat tona, për ta bërë këtë projekt të suksesshëm, në të mirë të të gjithë popullit të Kosovës. Do të jetë jashtëzakonisht i pastër, do të ndërtohet sipas standardeve më të fundit të Europës dhe do të jetë në gjendje t’i përshtatet standardeve të reja, nëse ato do të jenë edhe më të rrepta”, tha Garry Levesley, kryeshef ekzekutiv për Europën Juglindore i “Contour Global”.

Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, vlerësuan këtë investim si të një rëndësie të veçantë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Është ndër investimet më të mëdha, që janë zhvilluar në Kosovë. Fakti që këtë investim po e bëjmë me një investitor privat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka domethënien e vet të veçantë, sepse është fjala për besimin e SHBA-ve dhe investitorëve privatë në rrethin ekonomik të Kosovës. Gjithashtu është fjala për ndryshimin e strukturës ekonomike, sepse me këtë po shtojmë investimet private në Kosovë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

“Sot Kosova ka një lajm jashtëzakonisht të mirë për të ardhmen ekonomike të saj dhe unë kam besim të plotë, siç kemi punuar bashkërisht të gjithë. Sot, e tërë politika e Kosovës, institucionet dhe qytetarët e Kosovës vlerësojnë lart nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Ky projekt do të bëhet një qendër zhvillimi ekonomik, sepse planifikohen investime mbi një miliard euro, si dhe do të krijohen rreth 10 mijë vende të reja pune”, tha Hashim Thaci, zëvendëskryeministër i Kosovës.

Financimi i projektit është 30 për qind nga kompania e kontraktuar dhe 70 për qind nga institucionet financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duke bërë kështu që të mos preket buxheti i shtetit të Kosovës.

Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishin edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ambasadori amerikan Greg Delawie, përfaqësues të Bankës Botërore, ministra të qeverisë së Kosovës, e të tjerë.

Top Channel