Grabovci uron festat e fundit dhe “presidentin” Thaçi

18/12/2015 00:00

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci është i bindur se, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi do të jetë Presidenti i ardhshëm i Kosovës.

Për këtë çështje, ai foli në konferencën përmbyllëse të vitit 2015.

“Së bashku me urimin për festat e fundvitit, unë marr guximin t’ju uroj edhe Presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, pasi është e padiskutueshme që do të jetë zoti Thaçi”, tha Grabovci në konferencë.

Ai u shpreh gjithashtu i bindur se, partneri i koalicionit LDK nuk do t’i tradhëtojë ata në këtë drejtim.

“Besoj fuqishëm edhe te partnerët, që do të respektojnë e do t’i përmbahen marrëveshjes, dhe nuk kemi pse të diskutojmë për vota. Për ne, numri nuk është gjithçka. Numrat i kemi pasur dhe i kemi edhe aktualisht. Por, ne bëjmë përpjekje për të respektuar opozitën”, shtoi ai.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci numëroi edhe sfidat që karakterizuan vitin që po lëmë pas. Si sfidë e madhe për PDK-në ishin ndryshimet kushtetuese, pa harruar këtu të përmendë edhe bllokadën e VLAN-it, pasi – sipas tij, – pasojat e asaj kohe po shfaqen edhe sot.

Top Channel