Shkodër, mungon okulisti, invalidët mbeten pa leje drejtimi

17/12/2015 00:00

Në vitin 2014 Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka nxjerrë dy rregullore për pajisje me leje drejtimi të posaçme të personave me aftësi të kufizuara, duke përcaktuar me detaje proceduarat e veçanta që duhet të kryejnë këta persona.

Në rregulloren numër 6, përcaktohet imtësisht se duhet të ngrihen komisione pranë drejtorive të Shëndetit Publik në rrethe në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor. Në këtë komision duhet të marrin pjesë 5 mjekë.

Makinat që duhet të përdorin këta njerëz nuk janë si gjithë makinat e tjera, por këto kanë kaluar në një proces tjetërsimi, janë bërë enkas për t’u drejtuar nga këta njerëz.

Prej dy vjetësh në qytetin e Shkodrës njerëzit me aftësi të kufizuara nuk e marrin këtë shërbim sepse ky komision special nuk merr vendime, pavarësisht se ai mblidhet. Janë me qindra persona që sorollaten në qytetin e Shkodrës, Pukës dhe Malësisë së Madhe. Shkak për këtë është bërë vetëm një mjek.

Një qytetar nga Shkodra është ankuar në emisionin Fiks Fare sepse nuk po i krijohet mundësia për t’u pajisur me një leje drejtimi për automjete.

“Jam invalid prej 40 vjetësh. Kërkoj prej dy vitesh të marr një patentë. Prej dy vjetësh sorollatem te drejtoresha e Spitalit. Prej dy vjetësh komisioni nuk mblidhet për të hedhur një firmë”, shprehet qytetari nga Shkodra.

“Problemi i zotërisë është i njohur nga ne. Ai ka ardhur disa herë dhe është ankuar për raportin mjekësor që ka marrë pranë klinikës së specialiteteve për aftësinë e drejtimit të mjetit. Komisioni ka dy vite që është i ngritur. Por komisioni nuk ka vendosur sepse në të një anëtar është mjek okulist dhe problemet më të shumta nga personat me aftësi të kufizuar në drejtimin e automjetit është okulisti. Ai nuk pranon të jetë anëtar i këtij komisioni. Në qytetin e Shkodrës ne kemi vetëm një mjek okulist. Në vetëm dy vite mund të jetë 300-400 persona që presin të mblidhet ky komision dhe të kenë të drejtën të marrin lejen e drejtimit të mjetit me kufizime”, shprehet drejtor i Poliklinikës, Shkodër.

Çfarë keni menduar të bëni?

“Ne kemi menduar dhe e kemi zgjidhur me drejtorinë e Transporteve, duke i çuar këta persona në Lezhë dhe në Tiranë që janë komisionuar”. 

Top Channel