Pas reformës, a do të kemi drejtësi?!

17/12/2015 00:00

Nga Zilie FEÇI – Diplomati amerikan në Tiranë, për të disatën herë edhe këtë fillimjave foli troç. Ai krejt ndryshe nga ne shqiptarët, që e themi nën zë, mes njëri-tjetrit, apo në disa raste, në mungesë të provave edhe zgjedhim heshtjen, qartësisht u shpreh se ka një drejtësi të korruptuar.

Dhe këtë e tha përpara njerëzve më të korruptuar të vendit; atyre që kanë shitur disa herë prona, kanë nxjerrë nga burgu sa e sa të inkriminuar, e janë pasuruar aq shpejt, sa kolegët e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo në Europë i kanë “ëndrra në sirtar” pasuritë e gjyqtarëve shqiptarë. Sipas kreut të diplomacisë amerikane ka prokurorë e gjykatës që janë aq të korruptuar, sa përbëjnë shumicën e këtij pushteti. Shpesh deklaratat e ambasadorit Donald Lu na kanë vënë në mendime, sa duhet jo të shpejtojmë, por të vrapojmë për ta mbyllur atë të shkretë reforme në drejtësi, duke besuar se së paku do të ketë “ditë të bardha” dhe për shqiptarët.

Në mes të gjyqtarëve, Lu lëshoi një tjetër thirrje, për të lënë detyrën ata gjyqtarë, apo prokurorë të korruptuar. Ishte lutje, kërcënim, apo paralajmërim për të përfunduar në burg, kjo mbetet për t’u parë se ç’do të ndodhë. Por, në fakt asnjë nga gjykatësit, apo prokurorët nuk e quan veten të korruptuar. Përveç kësaj, vetë sistemi i drejtësisë do të hedhë shkelma e vickla, do të reagojë në mënyrat e veta, do të bëjë rezistencë, do të mobilizohet e do të mobilizojë të tjerët që t’i dalin në mbrojtje. Është interesante që në gjithë këtë debat publik, në të cilin është hedhur baltë pa hesap mbi togat e zeza, nuk ka dalë qoftë dhe një gjyqtar që ta thotë të vetën, në formë miratimi apo kundërshtimi, lidhur me të gjitha ato që thuhen për kategorinë në të cilën bën pjesë. Edhe nëse në ndonjë rast janë kapur gafil për të folur për mediat, përgjigjja është në “majë të gjuhës”. “Kemi zbatuar vetëm ligjin” dhe betohen e stërbetohen pa fund për këtë. Në një sistem drejtësie të sëmurë dhe të korruptuar, shteti bëhet kancerogjen, kur nuk është në gjendje të kurojë drejtësinë. Shteti në këto raste ngjan me “vjetërsinë”, që përditë shkon drejt humbjes së lidhjeve me qytetarët e tij, drejt një fundi i cili nuk lë të ardhme për shoqërinë dhe gjeneratat e mëvonshme. Nuk ka shkencë e zhvillim; nuk ka perspektivë dhe kulturë; nuk ka histori, ka vetëm varfëri të maskuar nën gjuhën e politikanëve të korruptuar që sundojnë dhe nënshtrojnë edhe makinën e drejtësisë. Ngjan sikur ka liri, por nuk është liria e vërtetë demokratike. Kur makina e shtetit është e sëmurë, mekanizmat e tij nuk janë më në gjendje të drejtojnë, dhe të veprojnë, pasi drejtësia nuk e ndëshkon krimin. Ajo nuk e ndëshkon atë që gabon sepse ka pushtet ekonomik, apo udhëheqësin partiak etj. Kështu mbyllen dosjet që flenë në arkivat e tyre, duke lënë pa hetuar sa e sa krime, ose në rast të ca procedurave standard të ligjit, hetimet shkojnë sipas qejfit.

Ndaj, koha kërkon rinovim, çlirim nga ankthi që rrezikon në fund perspektivën dhe deri sovranitetin e vendit. Kur prevalenca e korrupsionit bëhet refren i vërtetë i jetës politike dhe i organizmave të shtetit, është bërë një lloj “kushtetute” e jetës morale e materiale, mbi bazën e së cilës drejtohet, organizohet e jeton një shoqëri e tillë, jeta e njerëzve shantazhohet nga politika dhe nga padrejtësia, nga pasiguria, nga krimi i organizuar, nga mafia, nga papunësia, nga mungesa e meritokracisë dhe e profesionalizmit. Drejtësia e pavarur është një dukuri e panjohur në Shqipëri. Shqiptarët ende nuk e kanë shijuar mbrojtjen që të jep një pushtet i pavarur drejtësie. Në 23 vjet, sistemi i drejtësisë nga armë për të luftuar korrupsionin është bërë pjesë e problemit, që po mbyt shtetin, domethënë, qytetarët. Politikanët dhe qeveritarët, duke hartuar ligje që i lejojnë të kenë një pushtet të madh mbi emërimet në prokurori dhe gjyqësor, janë shndërruar tutorë të drejtësisë. Karriera e gjykatësit apo prokurorit nuk varet nga sa i shërben drejtësisë, por nga sa i shërben partisë që e ka promovuar. Por, ja e miratuam reformën në Drejtësi, edhe me votat e opozitës që është përfshirë në këtë proces, po drejtësi do kemi vallë, se qoftë larg futet ndonjë klauzolë “ligjore” dhe rrinë brenda sistemit edhe këta të korruptuar, që huqi për korrupsion u del bashkë me shpirtin?!

Top Channel