Kosovë, përurohet “autostrada energjetike” me Shqipërinë

17/12/2015 00:00

Këtë të premte është përuruar projekti i cilësuar si autostrada energjetike, që lidh Kosovën me Shqipërinë, në linjën e interkonjeksionit prej 400 kilovoltësh, me një gjatësi prej 241 kilometrash.

Në ceremoninë e mbylljes së projektit në pjesën e Kosovës ishin të pranishëm kryeministri, Isa Mustafa, zëvendësministri i Energjisë në Shqipëri, Ilir Bejtja, si dhe përfaqësues të dy operatorëve të sistemit energjetik në Prishtinë dhe Tiranë.

“Konsideroj se, si rezultat i implementimit të kësaj autostrade energjetike mes Kosovës dhe Shqipërisë do të mundësohet një këmbim shumë më i madh i energjisë elektrike mes dy vendeve tona, si dhe një mundësi e rritjes së kapaciteteve gjeneruese të planifikuara. Po ashtu, vlerësoj se ky është një hap shumë i mirë, që ne të punojmë në të ardhmen bashkërisht, jo vetëm në sistemin e transmetimit, por ndoshta edhe në sistemin e prodhimit dhe gjenerimit të energjisë elektrike, duke shfrytëzuar mundësitë alternative Kosovë-Shqipëri, përkatësisht burimet tona, që i kemi komplementare, të cilat do të mundësojnë më pas që ne të bëhemi tërësisht të pavarur dhe të sigurojmë energji elektrike”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Duke parë nga afër punimet e realizuara në pjesën e Kosovës, zëvendësministri i Energjisë në Shqipëri, Ilir Bejtja tha se, edhe në anën tjetër të kufirit, projekti do të përmbyllet së shpejti dhe – sipas tij, – bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri vetëm do të thellohet.

“Në këtë mënyrë, të avancojmë së bashku – një hap përpara qeverive, – sistemet energjetike për të qenë pjesë e Bashkimit Europian dhe, në të njëjtën kohë, t’i paraprijmë në mënyrë ekonomike bashkimeve politike të të dy vendeve brenda hapësirës europiane. Në të ardhmen, shpresojmë sa më të shpejt, që varet gjithmonë vetëm nga ne”, tha Ilir Bejtja, zv.ministër i Energjisë, Shqipëri.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Kosovë, Blerand Stavileci tha se, me këtë projekt energjetik, Kosova dhe Shqipëria do të integrohen në tregun rajonal energjetik. Ndërsa, shefat e operatorëve të sistemit energjetik nga Kosova dhe Shqipëria firmosën një marrëveshje për ofrimin e shërbimeve të kontrollit sekondar në fushën e energjisë.

Ky projekt energjetik u tha se është më i madhi i realizuar në Kosovë që nga paslufta, ndërsa ai është ndihmuar nga qeveria gjermane dhe Banka gjermane për Zhvillim.

Top Channel