Kryeministri grek Aleksis Tsipras, disa orë para samitit të lartë të Brukselit për krizën e refugjatëve, ka vizituar qendrën e pritjes dhe regjistrimit të emigrantëve në ishullin Hios dhe u është përgjigjur kritikave të Komisionit Evropian.

Greqia ndodhet në shënjestrën e zyrtarëve të lartë europianë që theksojnë se nuk kontrollon dot kufijtë e saj, se nuk ka regjistruar në mënyrën e duhur mijëra emigrantë që mbërrijnë çdo muaj në ishujt e saj për shkak të mosfunksionimit të të ashtuquajturave “hot-spots” dhe se nuk po realizon transferimin e tyre. Por, nga ana e saj Athina pretendon se ka bartur barrën e të ardhurve me mbështetje të pamjaftueshme financiare ose praktike të BE-së.

“Unë besoj se Greqia, në kushte jashtëzakonisht të vështira, ka arritur të ketë sukses në përmbushjen e detyrimeve të saj. Është tashmë radha e vendeve të tjera evropiane për të përmbushur detyrimet e tyre”, tha Tsipras.

“Ne nuk mund t’i lëmë njerëzit të mbyten në Egje dhe nëse evropianët duan që thjesht të mbartim kufomat e tyre, le të na e thonë”, deklaron Tsipras në një intervistë për “Financial Times”.

Athina pretendon se ndërsa BE-ja ka nënshkruar një vendim për të marrë nga Greqia dhe për të shpërndarë në shtetet anëtare mbi 66000 emigrantë, deri tani janë transferuar më pak se 100 vetë. Edhe baza materiale për “hot-spot”-et në ishuj ende nuk ka mbërritur nga BE-ja”, thekson pala greke.

Përveç sistemimit të mijëra emigrantëve ekonomikë që nuk lejohen më të shkojnë drejt vendeve evropiane, qeveria greke filloi këtë javë të zbatojë një skemë të subvencionuar nga BE-ja dhe UNHCR-ja për të siguruar strehim për 20.000 azilkërkues dhe emigrantë në pritje për t’u zhvendosur.

Gjithashtu, Tsipras ka ripërsëritur qëndrimin e Greqisë se Turqia duhet të zbatojë pjesën e marrëveshjes së saj me BE-në për të ndalur fluksin e emigrantëve që largohen nga brigjet e saj: “Do të duhet të kontrollohet menjëherë rezultati i marrëveshjes mes BE-se dhe Turqisë. Është një marrëveshje që edhe ne e mirëpritëm, por nga ana tjetër detyrimi i Turqisë është të ndihmojë ndjeshëm në mënyrë që të reduktojë fluksin”.

Ndërkohë, përsa i përket forcës së re të ruajtjes së kufijve evropiane, Athina zyrtare cilëson se e mirëpret ndihmën për kufijtë detarë, por thekson se operacione të këtij lloji nuk mund të zhvillohen pa miratimin paraprak të një vendi anëtar të BE-së, një pozicionim me të cilin bien dakord edhe Spanja, Hungaria dhe Polonia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA