Shqipëria ka shmangur përfundimisht rrezikun për të paguar 135 milionë euro për kompaninë DIA. Gjykata e Arbitrazhit në Vjenë ka rrëzuar kërkesën e Kastriot Ismailajt për të shpallur të pavlefshme marrëveshjen e nënshkruar nga ish-ortakja e tij Rebeka Gaskin me qeverinë shqiptare, në të cilën DIA hiqte dorë nga çdo pretendim.
DIA, një kompani e mbeledhjes së borxheve, u kontraktua nga çekët e CEZ për të mbledhur detyrimet e prapambetura kundrejt tarifave që shkonin deri në 50 për qind.
Por në janar të vitit 2013, kur u rikthye në administrim shtetëror, Operatori i Shpërndarjes e ndërpreu kontratën me DIA-n, që është përfolur si një instrument përmes të cilit u kanalizuan rryfshete për zyrtarët më të lartë të vendit.
Por menjëherë pas këtij vendimi, DIA e hodhi në arbitrazh Operatorin e Shpërndarjes duke kërkuar 135 milionë euro dëmshpërblim për ndërprerje të njëanshme të kontratës.
Por, përgjatë kësaj kohe pronari i DIA-s, Kastriot Ismailaj u arrestua për mashtrim, kështu që në vitin 2014, administratorja e kompanisë u bë Rebeka Gaskin, që ishte aksionere në këtë kompani.
Një shtetase amerikane, më 3 dhjetor Gaskin pranoi të tërhiqej nga arbitrazhi duke firmosur një marrëveshje që shuante çdo pretendim të DIA-s nga pala shqiptare, përfshirë pagesën prej 135 milionë euro.
Por menjëherë pas kësaj, Kastriot Ismailaj e sfidoi këtë marrëveshje si të pavlefshme me peretendimin se Gaskin nuk kishte atribute për të vepruar në emër të DIA-s.
Çështja ka mbajtur pezull autoritetet pasi shuma në lojë ishte gati sa 2 për qind e prodhimit kombëtar dhe do të përbënte një goditje të fortë për financat e vendit.
Por Gjyakata e Arbitrazhit ka vendosur ta rrëzojë kërkesën e Ismailajt duke e shpallur si të vlefshme marrëveshjen që shuante pretendimet e kompanisë, e nënshkruar nga Rebeka Gaskin.
Në vendim kjo gjykatë vëren se shtetasja Rebeka Gaskin ishte e autorizuar për të vepruar në emër të DIA-s, ndaj rrjedhimisht, marrëveshja e arbitrazhit që shuan çdo pretendim të këtij subjekti ndaj palës shqiptare është plotësisht e vlefshme dhe e shpall çështjen të mbyllur.
Top Channel