Rama me mësues e pedagogë: Të çlirojmë arsimin nga presioni politik

16/12/2015 19:20

Në prag të fundit të vitit, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar pasditen e së mërkurës një takim me pedagogë e mësues.

Në fjalën e tij, Rama e ka vënë theksin tek reforma në arsimin e lartë dhe tek mungesa përgjatë realizimit të saj të debateve të shëndosha, të zëvendësuara sipas tij nga një debat i shterpë politik.

“Ndaj me ju shqetësimin për kulturën e kriminalizimit të njerëzve dhe ideve. Politika e ka krijuar këtë fenomen prej kohësh”, ka thënë Rama.

“Ne kaluam në Kuvend një reformë të thellë dhe historike për arsimin e lartë. Ishte një reformë e vonuar dhe edhe ajo ishte e njëjta gjë: një epilog konfliktual dhe kriminalizim i reformës”, ka vijuar kryeministri.

Sëmundja që lindi nga politika, është shprehur ai, ka prekur jo vetëm politikën por të gjithë dhe në vend të debatit bëhet luftë.

“Me këtë luftë vrasim shpresën dhe përpjekjet për të përçuar ide krejt të ndryshme apo të kundërta. E ndaj këtë shqetësim me ju sepse detyra juaj është shumë e madhe”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar më tej se, reforma në arsimin e lartë dhe nismat e tjera të marra nga qeveria e tij do të sjellin ndryshimin e shumëpritur në sistemin arsimor.

“Ne sot synojmë një sistem që në bazë të vlerësimit bën një klasifikim jo të kotë, për të rekrutuar mësuesit për të gjitha lëndet dhe çdo pozicion ku ka nevojë, duke iu referuar jo partisë, as parave, por pikëve”, ka nënvizuar Rama.

Ai ka shtuar më tej se, ky ndryshim ka filluar të ndihet, pasi sipas tij janë larguar mësuesit që nuk kishin kualifikimin e duhur dhe sepse nxënësit nuk bëhen më pre e padijes së tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA