Rama, legalizime falas në Kamëz: Ju sigurojmë edhe hipotekën

16/12/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama është ndalur këtë të mërkurë në Kamëz, ku ka marrë pjesë në një aktivitet për shpërndarjen e legalizimeve falas për banorët e zonës.

Kreu i qeverisë ka thënë përpara të pranishmëve se, ndryshe nga qeveria e mëparshme, që shpërndau 21 mijë legalizime brenda 8 viteve në pushtet, qeveria socialiste ka shpërndarë 40 mijë leje vetëm përgjatë 18 muajve.

Rama ka shpërndarë 400 leje legalizimi për qytetarët e Kamzës, duke premtuar para tyre se qeveria nuk do të ndalet me kaq.

“Partia Demokratike ju ka parë dhe ju ka trajtuar si dele vetëm për të përfituar votën tuaj në zgjedhje. Për ata, ju nuk kishit fare rëndësi. Ndërsa ne, që nga dita e parë e qeverisjes ju kemi trajtuar të gjithëve njësoj. Në 8 vite, ata bënë 21 mijë legalizime gjithsej në gjithë Shqipërinë, ndër të cilët thuajse 80% ishin për biznese: bare, kafene, hotele, motele, sepse aty ishte dhe ryshfeti më i madh dhe më pak se 20% për banesat e qytetarëve. Me legalizimet e tyre, ata na kanë krijuar neve kosto të mëdha, që i paguajmë të gjithë bashkë në Shqipëri. Ky është një krim i madh ekonomik dhe një padrejtësi e madhe sociale”, është shprehur ndër të tjera Rama.

Më tej, kryeministri ka theksuar se qeveria ende nuk është e kënaqur me sasinë e lejeve të dhëna gjatë këtyre muajve në pushtet të së majtës.

“Në vetëm 18 muaj, qeveria jonë ka dorëzuar 40 mijë leje legalizimi, por nuk jemi aspak të kënaqur me këtë rezultat, sepse nevojat janë për më shumë. Ndërkohë që ne do t’iu japim edhe hipotekën, sepse edhe vajtjen në hipotekë do ta bëjë shteti dhe jo ju. Me këtë sistem, objektivi ynë është që vitin e ardhshëm të legalizojmë 145 mijë shtëpi të tjera. Brenda mandatit tonë duam që të shkojmë brenda kufirit prej 200 mijë legalizimesh dhe për më tepër falas, me shërbimin e shtetit te dera”, përfundoi Rama.

Top Channel