Manjani: Jo burg për të miturit, do u japim profesion

16/12/2015 10:05

Jo burg për të miturit është shprehur ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, në një takim të organizuar për mbrojtjen e të miturve.

“Jo burg për të miturit, sepse në burg nuk mëson asgjë, mëson rrugën e krimit. Nga kjo pikëpamje unë kam ardhur sot me drejtorin e Shërbimit të Provës, z. Ilir Qafa, sepse Shërbimi i Provës ka marrë një mision tjetër ligjor që e largon të miturin nga trajtimi me burg. Nuk është burgu për ta. Të rritur që nuk kanë hequr dorë nga dhuna ndaj të miturve, ata meritojnë burg”, tha Manjani.

Ai tha se në Kodin Penal ekziston një nen i vdekur, që është neni 46. Ky nen nuk zbatohet për arsye infrastrukturore, tha ministri. Neni 46 i Kodit Penal parashikon masat mjekësore dhe edukuese.    

“Kemi një nen të vdekur në kodin penal me nr. 46 që nuk zbatohet për arsye infrastrukturore, gjykatat nuk kanë qënë të bindura. I riu që ka marrë rrugën e krimit ne shumë shpejt do i ofrojmë profesion, shkollë, që të fitojë zanat. Kjo është mënyra më e mirë të integrohet në shoqëri, ky është projekti jonë”, tha Manjani.

Në nenin 46 thuhet se i mituri vendoset në institucion edukimi, dhe në çdo kohë kur zhduken rrethanat për të cilat vendimi është dhënë, por në çdo rast, gjykata, kryesisht, është e detyruar që pas kalimit të një viti nga dita e dhënies së vendimit, të marrë në shqyrtim vendimin e saj

Top Channel