Konkluzionet e BE, vlerësime për Kosovën dhe vendet e Ballkanit

16/12/2015 00:00

Përveç caktimit të vitit 2016 ndaj Komisionit për të vlerësuar mbi mundësinë e nisjes së negociatave me Shqipërinë, konkluzionet e Këshillit theksojnë se “zgjerimi mbetet një politikë kyçe e Bashkimit Europian dhe një investim për paqen, demokracinë, prosperitetin dhe stabilitetin e kontinentit”.

Këshilli konfirmon vendosmërinë për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, ndërsa shprehet se “Turqia mbetet një partner kyç për disa fusha”. I kushtohet rëndësi besueshmërisë së procesit të zgjerimit, në zemër të të cilit mbeten sundimi i ligjit, gjyqësori, korrupsioni, krimi, të drejtat themelore, forcimi i institucioneve dhe administratës publike, si dhe reformat e zhvillimit ekonomik.

Serbia dhe Maqedonia lavdërohen, krahas Turqisë, në përballje me valën e refugjatëve, ndërkohë që të gjitha vendeve u kërkohet të zbatojnë masat shtrënguese të BE-së për “interesa të përbashkët madhorë”, si dhe të forcojnë kontrollet kufitare, luftën kundër terrorizmit, radikalizmit, emigracionin ilegal dhe trafikun e drogës dhe të armëve.
 
Në konkluzionet për Malin e Zi, vendi më i avancuar i Ballkanit në procesin e anëtarësimit, Këshilli i BE-së bën thirrje ndaj partive politike për t’u angazhuar në dialog konstruktiv dhe për të zhvilluar debatin brenda Parlamentit. Zbatimi i ligjit të ri zgjedhor, administrata, liria e medias, pavarësia e institucioneve dhe rezultatet në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, konsiderohen gjithashtu të rëndësishme për vendin, që vazhdon negociatat e anëtarësimit me BE-në,të hënën e ardhshme, me hapjen e disa kapitujve të tjerë.

Këshilli nënvizon se “MSA është marrëveshja e parë gjithëpërfshirëse mes Bashkimit Europian dhe Kosovës” dhe se nisja e zbatimit, me hyrjen në fuqi të saj, “nuk paragjykon qëndrimet e vendeve anëtare ndaj statusit të Kosovës”. Në pritje të raportit të Komisionit mbi përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, Këshilli inkurajon vendin për të realizuar të gjitha kushtet e mbetura.

Mirëpritet vendimi i Kosovës për krijimin e “dhomave speciale të gjykatave” dhe kërkohet “përfundimi i procedurave, pa vonesa të reja” për nisjen e shpejtë të funksionimit të tyre.

“Bllokimi aktual politik në Kosovë duhet të zgjidhet urgjentisht”, thuhet në konkluzionet e përbashkëta. Këshilli i BE-së “dënon përdorimin e dhunës, veçanërisht për qëllime politike dhe pengimin, nga ana e partive opozitare, në Kuvend, si dhe bën thirrje për t’i ndërprerë ato menjëherë”.

Vendi ftohet të respektojë sundimin e ligjit dhe të rinisë punën normale parlamentare, ku të gjitha palët e përfshira duhet të trajtojnë sfidat, përmes dialogut politik, dhe të angazhohen me shpejtësi për zbatimin e të gjitha aspekteve, që përmban agjenda e reformave europiane të Kosovës.

Vendit më të ri të rajonit, i kërkohet të rrisë luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, duke dëshmuar rezultate për rastet e nivelit të lartë, si dhe që të përmirësojë sundimin e ligjit, përfshirë pavarësinë e gjyqësorit. Këshilli i BE-së i kujton Kosovës përmbushjen e detyrimit për çmontimin e Termocentralit “Kosova A” dhe rigjallërimin e tij, për shkak të ndotjes së mjedisit në Ballkan.

Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën përmendet gjerësisht në konkluzionet për Serbinë, e cila çeli dy kapitujt e parë të bisedimeve të anëtarësimit të hënën, ndërsa pritet të vijojë në pranverë me kapitujt 23 e 24. Vendit i kërkohet të përqendrojë vëmendjen tek reforma e drejtësisë, krimi i organizuar, korrupsioni, liria e medias, pavarësia e institucioneve, administrata, të drejtat themelore, sidomos për minoritetet dhe LGBT-n, si dhe të zhvillojë një ekonomi tregu funksionale e të përmirësojë klimën e biznesit.
 
Për Maqedoninë, Këshilli shpreh shqetësimin më të rëndë për situatën, ku “kriza serioze politike shënjohet nga kultura e përçarjes politike, mungesa e kulturës për kompromis, nga përkeqësimi i lirisë së medias dhe i pavarësisë së gjyqësorit, si dhe nga shkatërrimi i besimit për institucionet publike”.

Pasi përsëritet nevoja për zbatimin e plotë të marrëveshjes politike të verës, për organizimin e ndershëm të zgjedhjeve të parakohshme të prillit, Këshilli thekson rëndësinë e hetimit të plotë të regjistrimeve të publikuara, si dhe për ngjarjet e majit në Kumanovë, në mënyrë transparente dhe me objektivitet.

Rekomandimi i kushtëzuar i Komisionit për negociatat me Maqedoninë do të konsiderohet nga Këshilli pas zgjedhjeve të pranverës, në varësi të përmbushjes së “prioriteteve urgjente”, ku ekzekutivi europian liston fushat e dështimit sistematik, si gjyqësori, korrupsioni, të drejtat themelore dhe punët e brendshme.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA