KE, 93 mln euro për bashkëpunimin mes vendeve adriatiko-joniane

16/12/2015 17:55

Në vijim të Strategjisë së BE-së për rajonin Adriatiko-Jonian, Komisioni Europian miratoi programin e bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi, i fundit për vitin 2015.

Nga 93 milionë euro të parashikuara, gjithësej, 79 milionë prej tyre jepen nga Bashkimi Europian, përmes Fondit Europian të Zhvillimit Rajonal dhe Instrumentit të Para-Anëtarësimit 2014-2020, ndërsa 14 milionë euro është detyrimi i përbashkët i të tre vendeve pjesëmarrëse.

“Ky është një shembull i përsosur se si Unioni mobilizon burimet e veta për të sjellë vendet kandidate më afër BE-së”, deklaroi komisionerja për Politikat Rajonale, Corina Cretu në një deklaratë të përbashkët për shtyp me komisionerin Hahn.

Ky i fundit tha se pret që ky program “t’i hapë rrugë zhvillimit të zgjuar e të qëndrueshëm ekonomik” për vendet përfituese, duke mbështetur konkurrencën, mbrojtjen e mjedisit, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, përmirësimin e infrastukturës publike dhe të transportit.

“Ne miratuam sot programin e bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi me vlerë 93 milionë euro në tërësi, për periudhën 2014-2020. Pjesa më e madhe e parave vjen si nxitje investimesh nga Bashkimi Europian, ndërsa pjesa tjetër nga buxhetet kombëtare të tre vendeve, të cilat afrohen edhe më shumë përmes këtij programi, si vende kandidate për rastin e Shqipërisë dhe Mali të Zi, ndërsa Italia luan rolin drejtues në këtë ekip, si vendi me autoritetin menaxhues”, deklaroi më tej Jakub Adamowicz.

Drejtoria e KE-së për politikat urbane dhe rajonale menaxhon aktualisht 10 programe të tilla, që përfshijnë vendet kandidate dhe potenciale me vendet anëtare të BE-së, të cilat pranojnë të lëshojnë paratë e caktuara për to në fondin rajonal me kushtin që minimalisht e njëjta shumë të jepet nga fondi IPA, në bazë të parimit për “bashkërendimin e fondeve”, siç e parashikon neni 4 në Rregulloren Europiane të Bashkëpunimit Territorial, pavarësisht faktit, nëse paratë shpenzohen më shumë në një vend kandidat apo në një anëtar të BE-së.

Ndihma financiare e Unionit për Shqipërinë deri në vitin 2020 është rreth 650 milionë euro, nga 11.7 miliardë euro të parashikuara gjithësej në buxhetin për të gjitha vendet e zgjerimit, ndër të cilat 484 milionë euro shkojnë për programe të bashkëpunimit ndërkufitar.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel