S’ka liberalizim vizash, Thaçi shpërthen ndaj BE-së: Marrëzi e Brukselit

15/12/2015 00:00

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ashpër ndaj konkluzioneve të BE-së për Kosovën. Me anë të një deklarate në rrjetin social Facebook, ai shpreh zhgënjimin për vonesat në liberalizimin e vizave dhe shkon më tej, kur e quan këtë provokim të rëndë dhe rezultat të paaftësisë së udhëheqësisë në Bruksel.

“Sot, Këshilli i Bashkimit Europian bëri publike konkluzionet e pakos së zgjerimit. Përderisa i jemi mirënjohës BE-së për nënshkrimin e MSA-së, unë shpreh zhgënjimin e thellë për vonesat e pakuptimta të BE-së për liberalizimin e vizave. Këtë vonesë ndaj Kosovës e konsideroj provokim të rëndë dhe rezultat të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik të udhëheqësisë në Bruksel. Për mua është marrëzi nga ana e BE-së, që të mbajë të izoluar kosovarët. Këto vonesa absurde dhe të qëllimshme, jo vetëm që nxisin ekstremizmin në vend, por rrisin edhe irritimin te qytetarët e Kosovës”, shkruan zëvendëskryeministri kosovar.

“Për më tepër, kjo qasje e BE-së është duke rrezikuar të gjitha proceset e rëndësishme në vend, përfshirë edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbatimin e marrëveshjeve dhe arritjen e marrëveshjeve të reja. Prandaj, konsideroj që BE-ja duhet t’i japë fund këtij trajtimi diskriminues kundër Kosovës, pasi kështu do të japë ndihmën e saj për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Përkundër kësaj, durimi ynë do të jetë më i fuqishëm sesa paaftësia e Brukselit. Por, Kosova nuk guxon të diskriminohet edhe më tej, vetëm për shkak se nuk është si Kolumbia dhe Ukraina”, përfundon mesazhi i Thaçit, ku nuk mungon dhe urimi ironik në anglisht “Good luck EU! (Paç fat BE)”.

Top Channel