Serbia çel kapitujt e parë të bisedimeve të anëtarësimit me BE-në

15/12/2015 10:35

Me pëlqimin e 28 vendeve anëtare, Serbia çeli dy kapitujt e parë të bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian, siç propozonte prej muajsh Komisioni, edhe pse nuk ishte në nivel të kënaqshëm bashkëpunimi me gjykatën e Hagës, apo zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun me Kosovën.

Përpara mbajtjes së konferencës ndërqeveritare në mbrëmje me Serbinë, komisioneri për Fqinjësinë e Mirë dhe Zgjerimin, Johannes Hahn siguroi mediat europiane se bëhej fjalë për nisjen e një proçesi të gjatë disavjeçar dhe se Unioni nuk ishte gati të pranonte anëtarë me probleme kufijsh.

“Bashkimi Europian nuk është gati të pranojë një anëtar që ka probleme kufijsh me fqinjët. Megjithatë, ne jemi në nisje të një procesi të gjatë disavjeçar. Ne nuk presim ndonjë zgjidhje gjatë muajve të ardhshëm, por e rëndësishme është të mbahet gjallë dialogu me Kosovën”, deklaroi Hahn.

Kapitulli 32 për kontrollin fiskal dhe ai 35 për çështje të tjera, që përfshijnë dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pritet të pasohen në pranverë nga çelja e dy kapitujve të tjerë, 23 e 24, që lidhen me sundimin e ligjit, drejtësinë dhe të drejtat themelore.

Konferenca për shtyp nisi me ngatërrimin e deklaratës së ministrit të Jashtëm të Luksemburgut, vend që kryeson Unionin deri në fund të dhjetorit. Por pasi e kapi gabimin, Asselborn cili përcolli një mesazh të ngjashëm me komisionerin Hahn.

“Këto  janë vetëm dy kapitujt e parë nga 35 gjithsej, që do të kërkojnë shumë punë të vështirë nga ana e Serbisë. Por jam i bindur se populli serb do ta kuptojë shpejt se të gjitha këto përpjekje japin përfitime specifike të menjëherëshme, kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, reformat ekonomike dhe administrative”, deklaroi Asselborn, për t’u larguar më pas drejt konferencës tjetër për shtyp.

Nga ana e tij kryeministri serb Aleksandar Vuçiç shprehu qëllimin për të mbyllur bisedimet e anëtarësimit brenda 2019-s, çfarë u quajt tepër “ambicioze” nga komisioneri Hahn, për të cilin në këtë proces ka rëndësi “cilësia përpara shpejtësisë”.

Ai lavdëroi administratën serbe për menaxhimin e situatës së refugjatëve, që sipas tij ishte “më e mirë se disa prej vendeve anëtare”, ndërsa theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me Kosovën.

“Të dyja, Serbia dhe Kosova, kanë pranuar faktin se nuk do të bllokojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt Europës dhe ky mirëkuptim i ndërsjellë është tashmë në zbatim me procesin e Berlinit, në terma të zbatimit të projekteve të mëdha ndërkufitare në fushën e transportit, por dhe të furnizimit me energji. Vendet e rajonit nuk duhet të bllokojnë njëra-tjetrën”, tha Hahn.

Kurse kryesministri Vuçiç foli për “ruajtjen e miqësisë tradicionale” me Moskën, të paktën përgjatë periudhës së negociatave të anëtarësimit me Brukselin.

“Ne duam të ruajmë atë miqësi tradicionale që kemi me Rusinë dhe nuk shoh asgjë të keqe për këtë. Por, me kalimin e kohës, neve do të na nevojitet të përshtasim qëndrimin me BE, mbase jo në 2016 apo në 2017, por më pas, ne detyrohemi ta bëjmë këtë”, tha Vuçiç.

Komisioni pritet t’i paraqesë së shpejti Këshillit të BE-së raportin vlerësues për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA