Kosovë, ndalohet hyrja e serbëve me letërnjoftime nga strukturat ilegale

15/12/2015 00:00

Autoritetet kosovare duket se kanë vendosur të zbatojnë njërën nga marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë, e cila i konsideron të paligjshme dokumentet serbe të identifikimit për serbët e Kosovës, të lëshuara nga institucionet paralele të Serbisë në Kosovë.

Zbatimi nga pala kosovare po bëhet në pikat kufitare me Serbinë, duke mos lejuar hyrjen e serbëve, të cilët kanë dokumente identifikimi të lëshuara vetëm nga institucionet paralele.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani konfirmoi se në kalimet kufitare me Serbinë, policia është duke zbatuar protokollin për lirinë e lëvizjes, i cili njeh letërnjoftimet e Serbisë, por jo edhe letërnjoftimet e strukturave ilegale.

Zbatimi i këtij protokolli – sipas tij, – ka filluar kohë më parë dhe ka qenë në zbatim. Qeveria e Kosovës ka kritikuar vazhdimisht Serbinë për moszbatimin e marrëveshjes për shuarjen e strukturave paralele.

Mediat serbe, ndërkaq, kanë raportuar se Policia e Kosovës në kufi është duke zbatuar një urdhëresë të orëve të mbrëmjes, e cila ndalon serbët me letërnjoftime të Serbisë të hyjnë në Kosovë.

Në një zhvillim tjetër, organet e rendit kanë regjistruar 7 raste të ndryshme, kur serbët dyshohen se kanë falsifikuar dokumentet e automjeteve gjatë regjistrimit të tyre.

Sipas policisë, dyshohet se serbët kanë bërë regjistrimin e automjeteve të tyre, duke i ndërruar targat, nga ato të Republikës së Serbisë, në ato të Republikës së Kosovës, por gjatë kontrollit është vërejtur se libreza e mëhershme ka qenë e falsifikuar.

Top Channel