Dhoma Zgjedhore kundër projektligjit: Prodhon korrupsion

15/12/2015 00:00

Një grup organizatash jo qeveritare, pjese e dhomës zgjedhore, gjatë konsultimeve të projekt-ligjit për vetëqeverisjen civile ngulmuan në sanksionimin me ligj që të zgjedhurit vendor mos të kënë më shumë se dy mandate në detyrë.

Pavarësisht se gjatë konsultimeve deputetët e mirëpritën dhe mbështetën këtë nismë, në draftin final që do të votohet në parlament sugjerimet nuk u reflektuan, duke çuar numrin e mandatve në 3, me të drejtë rizgjedhjeje pas një pauze. Dhoma zgjedhore jep arsyet se përse duhet të kufizohet me ligj numri i mandateve.

“E theksoj me forcë se përvoja shqiptare në qeverisjen vendore dikton sot më shumë se kurrë kufizimin e mandateve të kryebashkiakëve në dy të tilla. Vetë reforma historike administrative, përveçse një rrjedhojë e kohshme ishte dhe një mjet për të pastruar pushtetin vendor nga instalimi afatgjatë i pushtetarëve që në korrupsionin e pronave, favoret e punësimit etj., kishin prodhuar një mekanizëm riciklues afatgjatë të pushtetit të tyre. Janë këta pushtetarë që e çuan demokracinë vendore në prag të shthurjes duke diktuar dhe reformën siç ishte reforma administrative”, tha Gerti Shella.

Anëtarë të Dhomës zgjedhore deklaruan se nga vëzhgimet gjatë fushatës për zgjedhjet vendore, në zonat ku kanë konkuruar kandidatë me disa mandate, ka patur më shumë tensione dhe elemente të dhunës për shkak të këmbënguljes për tu rizgjedhur me çdo kusht.

Gjithashtu ata deklaruan se janë standartet e demokracisë dhe niveli i lartë korruptiv në çdo hallkë të politikës dhe administratës që e dikton këtë nevojë.

“Dhoma zgjedhore rekomandon me forcë konkretisht që pika 2 e nenit 59 të projektligjit të futur në Kuvend të rikthehet në versionin origjinal dhe të jetë se ‘kryetari i bashkisë mund të zgjidhet dhe të ushtrojë vetëm dy mandate të njëpasnjëshme në krye të bashkisë”, tha Shella.

Top Channel