Deputetët opozitarë të arrestuar vizitohen nga KMDLNJ

15/12/2015 00:00

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka vizituar deputetët opozitarë, konkretisht Pal Lekajn, Besa Baftiun, Aida Dërgutin dhe Glauk Konjufcën, një ditë pas arrestimit të tyre.

Deputetët në fjalë, gjatë vizitës së KMDLNJ-së kanë pohuar se nuk ka pasur vendim për ndalimin e tyre, por një gjë e tillë u është dhënë në stacionin qendror policor. Deputetët kanë pohuar gjithashtu se, Policia e Kosovës ka pasur sjellje korrekte gjatë arrestimit dhe transportit, duke shtuar se janë të vetëdijshëm për kushtet e vështira që ka qendra e ndalimit, si dhe kanë vlerësuar sjelljet korrekte të stafit.

Ndërsa gjatë së martës, deputetët opozitarë – të ndaluar një ditë më parë, – janë dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku deputetit të Vetëvendosjes, Faton Topalli, i është caktuar masa e paraburgimit deri më datë 7 janar. Kjo masë iu caktua pas shkeljes së masës së “arrestit shtëpiak”, duke u paraqitur në Kuvendin e Kosovës.

Arrestimi i deputetëve opozitarë është cilësuar si shkelje kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Arrestimet e deputetëve dhe aktivistëve, që kanë vazhduar edhe dje, janë në kundërshtim me çdo rregullore të Kuvendit dhe Kushtetutës së Kosovës. Ajo që deputetët e opozitës kanë bërë dje është në përputhje të plotë me betimin e tyre dhe detyrat e tyre, në mbrojtje të sovranitetit të Republikës dhe në kundërshtim të dy marrëveshjeve të dëmshme”, tha Driton Çaushi, nënkryetar i LVV-së.

Të hënën, në dalje të Kuvendit të Kosovës u arrestuan deputetët e Vetëvendosjes, Aida Dërguti, Glauk Konjufca, Besa Baftiu, Faton Topalli dhe Fisnik Ismajli, ndërsa nga AAK: Pal Lekaj, Time Kadriaj dhe Teuta Haxhiu. Këto arrestime e çojnë në 13 numrin e deputetëve opozitarë të arrestuar në Kosovë, muajt e fundit.

Top Channel