
Deputetët e opozitës në Kosovë kanë bllokuar sërish punën e Kuvendit gjatë së hënës, duke hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit, në mbledhjen e kryesisë, por edhe në sallën alternative.
Seancat e gazit nisën gjatë mëngjesit, ku ftesës së kryetarit Kadri Veseli për të marrë fjalën në foltore, opozita iu përgjigj me gaz lotsjellës të hedhur nga deputetët, Glauk Konjufca i Vetëvendosjes dhe Pal Lekaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Mosni kështu, pauzë. Shkoni në pauzë. Ju lutem deputetëve lëshojeni sallën dhe dilni derisa të pastrohet ambienti. Pauzë, por prapë po e vetpërjashtoni veten. Prapë po e vet inkriminoni veten. E pa nevojshme për besë”, tha Veseli.
Gazi sërish ka detyuar kryetarin të ndërpresë seancën dhe të thërrasë një mbledhje kryesie, ku u vendos përjashtimi nga seanca i pjesës më të madhe të deputetëve të opozitës. Kjo mbledhje po ashtu u mbyll me hedhje gazi lotsjellës nga deputetja e VV, Aida Dërguti.
Seanca rifilloi gjatë pasdites në sallën alternative, ku u miratua me votat e shumicës, buxheti i vitit 2016.
Pas kësaj, vetë kryetari Kadri Veseli doli dhe futi në sallë deputetet e opozitës që nuk ishin të përjashtuara, e të cilat u ankuan së sigurimi nuk po i lejonte të futeshin në sallën alternative. Mjaftuan pak sekonda të pranisë së tyre në sallë dhe deputetja e VV, Besa Baftiu hodhi gazin duke ndërprerë edhe këtë seancë.
Top Channel