Ndarja nga jeta e Kostandina Anagnostit, ndryshojnë ekspertizat

14/12/2015 00:00

Kostandina Anagnosti, 16 vjeç, humbi jetën në rrethana misterioze në Sarandë më 14 nëntor 2014. Atë ditë vajza kishte hyrë nga Greqia për në Shqipëri, nëpërmjet pikës kufitare të Qafë Botës, e pashoqëruar nga asnjëri prej prindërve, të divorcuar prej shumë kohësh.

Taksisti Spiro Papa ka qenë personi, me të cilin Kostandina ka udhëtuar përgjatë gjithë rrugës, e më pas ka qëndruar pjesën më të madhe të kohës në Sarandë. Ajo ka fjetur një natë në fshatin Dërmish, te gjyshja e saj, të nesërmen ka kaluar disa minuta në parukeri, e më pas i është nënshtruar një vizite te dentisti.

Gjithçka pas atij momenti mbetet mister, deri kur vajza u dërgua e pajetë në spitalin e qytetit nga taksisti Papa. Vdekja u konkludua se ishte natyrale dhe, pas dërgimit të trupit në Janinë, i ati kërkoi riekspertimin, pas dyshimeve të lindura se e bija mund të kishte vdekur si pasojë e një aborti. Një grup ekspertësh nga Tirana, që u paditën nga familjarët, arritën në përfundimin se vdekja kishte ardhur si pasojë e një arresti kardiak.

Ndërkohë, një tjetër version është dhënë nga mjekoligjorët e Janinës, të cilët kanë arritur në përfundimin se kampionët e dërguar nga Instituti Mjekoligjor shqiptar kanë qenë shumë të dëmtuar.

Ekspertët grekë kanë kryer analizën e ADN-së, nga ku ka rezultuar se kampionët e gjakut janë të viktimës, ndërsa organet nuk i përkasin Kostandina Anagnostit. Pak ditë më parë, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Tiranës ka vendosur mosfillimin e procedimit penal.

EKSPERTIZA SHQIPTARE 1 (NR. 513, 16 nëntor 2014)

– Në trupin e shtetases Kostandina Anagnosti nuk u konstatuan nga jashtë dëmtime trupore të shkaktuara si rezultatt i ushtrimit të dhunës (ekimozat në gjoks janë të shkaktuara si rezultat i goditjes me pllaka të defribilatorit elektrik, prania e vigonit në gropën e bërrylit është veprim mjekësor)
– Në këqyrjen makroskopike e mikroskopike u konstatuan enë gjaku të keqformuara (malformuara) kryesisht në tru dhe në organet e tjera si: uterus, ovare dhe në veshka
– shkaku i vdekjes së Kostandina Anagnostit ka qenë arresti kardiak (ndalimi i punës së zemerës) në terren të hemoragjisë difuze të shprehur poshtë cipave të trurit, në brendësi të trurit dhe edemës së trurit.

EKSPERTIZA SHQIPTARE  2  (NR. 5102, SHKURT 2015)

– Patologjia e enëve të gjakut nuk është pasojë e përdorimit të lëndëve narkotike, pasi nga të dhënat e aktit toksikologjiko¬-ligjor nuk janë zbuluar lëndë të tilla. Po ashtu, në trupin e viktimës nuk janë kryer ndërhyrje mjekësore para vdekjes së saj.
– Vdekja e kësaj shtetaseje me dt. 15:11.2014 vërtetohet nga të dhënat e ekzaminimit elektrokardiografik, ora 15:57. Data e paraqitjes së viktimës shënuar në kartelën klinike duhet të jetë e pasaktë.
– Në ekzaminimin mikroskopik të mitrës nuk u konstatua hemorragji, por konxhestion i vazave të gjakut.
– Dëmtimet e konstatuara nga mjeku E. K., në të dyja anët e qafës në pjesën e prapme të saj, të përshkruara si dërmyshtje me ngjyrë të kuqe janë shkaktuar me mekanizmin e mjetit mbretës dhe janë të freskëta.
– Konstandina Anagnosti nuk ka qenë shtatzënë dhe  shkaku i vdekjes së saj ka qenë arresti kardiak (ndalimi i punës së zemrës) në terren të hemorragjisë difuze të trurit.

EKSPERTIZA MJEKO-LIGJORE GREKE

– Është evidentuar prania e një dozë të trefishtë lidokainë në urinë (13 mg, nga norma e lejuar 2-5 mg)
– Sipas ADN-së, rezulton se kampionet e gjakut janë të njëjta
– Pjesët e tjera të trupit, organet e brendshme nuk rezultojnë të njëjta.
– Analizat nuk tregojnë asnjë anomali pathologjike.
– Mungojnë organet kryesore; truri i madh, i vogël, laringu, faringas, zemra, mitra, vezoret, stomaku, etj, të cilat e bëjnë të pamundur përcaktimin e rezultati të qartë të shkakut të vdekjes.

Top Channel