Drejtësia, ambasadori Lu: Të korruptuar, ikni ose do të shkoni në burg!

14/12/2015 09:55

Ndryshe nga çdo vit tjetër mbledhja e këtij viti e trupës gjyqësore është shoqëruar me mesazhe të forta nga ndërkombëtarët, të cilët përmendën jo vetëm largimin nga sistemi por edhe burgun për të korruptuarit në mesin e gjykatësve dhe prokurorëve.

“Në këte rast unë ju kurajoj juve të lini këtë profesion menjëherë. Mund edhe të futeni në burg së shpejti”, tha Donald Lu, ambasador i SHBA-ve në Tiranë.

Për çdo gjyqtar dhe prokurorët me integritet dhe jo të korruptuar, ambasadori Donald Lu u tha të bëhen simboli i sistemit të ri të drejtësisë.

“Së dyti, për gjyqtarët e ndershëm, kini besim, ndryshimi po vjen. Unë besoj se pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë profesionistë të ndershëm dhe punëtore që duan të jenë krenarë për profesionin e tyre. E di që është e vështirë të jesh një gjytar i ndershëm në Shqipëri, nuk punon për shumë para dhe ka mundësi për të marrë nën trysni vendime të rëndësishme për të gjitha arsyet e gabuara. Ju meritoni të promovoheni në bazë të meritës dhe përvojës, dhe ju duhet të bëheni simboli i sistemit të ri të drejtësisë në Shqipëri. Në vend të imazhit të sotëm të gjyqtarëve të korruptuar që mbajnë ora Kartier”, tha Lu.

Por duket se gjyqtarët pjesëmarrës në këtë konferencë e prisnin këtë referim, dhe ndryshe nga herët e tjera kësaj rradhe mbërritën në konferencë me veshje që nuk demonstronin firmat e njohura të modës dhe nuk mbanin ora të shtrenjta. Madje as makinat luksoze që parkohen shpesh pranë hoteleve ku mbahen konferenca, kësaj radhe nuk ishin prezente.

Edhe ambasadorja e Bashkimit Europian Romana Vlahutin nënvizoi se nëse do të ishte ajo gjyqtare në Shqipëri, do të ishte një përkrahëse e reformës dhe do të kërkonte rivlerësim.

“Në një demokraci funksionale gjyqtarët duhet të mbrohen nga çdo lloj presioni , qoftë ky presion me telfonata nga zyrtarë të lartë , qoftë me anën e ofertave apo kërcënimeve që kanë të bëjnë me zhvillimin e karrierës apo çfarëdolloj nderi apo shantazhi”, tha Vlahutin.

E ndërsa korrupsioni ishte kryefjala e ndërkombëtarëve, Prokurori i Përgjithshëm u shpreh kundër përgjithësimeve, sepse sipas shefit të akzues janë po këta gjyqtarë e prokurorë që kanë dënuar deputetë e kriminelë.

“Ajo që konstatojmë jo pa shqetësim është fakti se nevoja për reformimin e sistemit të drejtësisë po shoqërohet me një fjalor publik negativ ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në çdo paraqitje publike ku diskutohet për reformën në drejtësi prezantohet perceptimi se sistemi i drejtësisë përbëhet nga korrupsioni si një gjë e vetme. Në fakt, sistemi i drejtësisë në vend si çdo hallkë tjetër shtetërore në Shqipëri nuk është e imunizuar nga korrupsioni. Janë po këta gjyqtarë e prokurorë që hetojnë dhe gjykojnë zyrtarë të niveleve të ndryshme të akuzuar për korrupsion”, tha kryeprokurori Adriatik Llalla.

Po çfarë është korrupsioni, sipas ministrit të Drejtësisë?
“Ky është problemi juaj, jo i joni. Ne e kemi shumë kollaj të themi që jeni të korruptuar, kjo është gjëja më e thjeshtë. Ju fusim të gjithëve në një thes dhe gjejeni ju pastaj çelësin se si do hjapet ky thesi për të dalë nga korrupsioni. Po përpiqemi të jemi në një varg që mund të dalim bashkarisht aty ku duhet. Shërbimi i besueshëm do të thotë të shërbesh shpejt. Zvarritja e gjyqit është shkak kryesor për korrupsion”, tha Ylli Manjani, ministër i Drejtësisë.

“Ne nuk duhet që në kushtet e presionit të momentit të eksperimentojmë modele të reja dhe të paprovuara në praktikë nga shtete të tjera. Duhet të ishte më gjithëpërfshirës dhe besimi i tij në të gjitha nivelet e gjyqësorit duhet të ishte më i madh. Apeli jonë drejtuar institucioneve shtetërore është se ne kemi nevojë dhe jemi të interesuar për hartimin e një kuadri ligjor e kushtetues, që inkorporon standarde ndërkombëtare në drejtësi dhe adopoton modele që kanë treguar se janë të suksesshëm”, u shpreh Xhezair Zaganjori,kreu i Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel