Arrestohet deputeti i AAK-së, Pal Lekaj. Hodhi gaz në Kuvend

14/12/2015 00:00

Me të dalë nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, prej të cilit ishte përjashtuar së bashku me pjesën më të madhe të deputetëve të opozitës, Pal Lekaj, aktualisht ushtrues detyre i shefit të grupit parlamentar të AAK-së, përveç se deputet i kësaj force politike, është ndaluar nga Policia e Kosovës.

Sipas komunikatës së AAK-së, me anë të të cilit njoftohet shoqërimi i deputetit, kjo është hera e dytë që Lekaj bëhet objekt i arrestimeve politike me qëllim frikësimin e tij, arsye për të cilën pak ditë më parë policia kishte arrestuar edhe djalin e tij, që aktualisht mbahet në paraburgim.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dënon ashpër aksionet politike të Policisë kundër deputetëve dhe familjarëve të tyre, si dhe bën të ditur se nuk ka forcë që e mposht dhe e zmbraps këtë parti, nga kauza e saj e drejtë për mbrojtjen e Kushtetutës dhe integritetit territorial të vendit.

Sipas AAK-së, kriza politike në Kosovë nuk zgjidhet me polici, por me mjete politike. “Ata që po përdorin pushtetin për interesa personale do të përfundojnë të turpëruar. Opozita do të mbijetojë kundrejt dhunës së pushtetit, sepse ka mbështetjen e popullit”.

Top Channel