Rama inspekton by-pass-in e Fierit, dorëzon çekun e dëmshpërblimit për përmbytjen

13/12/2015 00:00

Gjatë inspektimit nga afër të punimeve për by-pass e Fierit, Kryeministri Edi Rama, përfitoi dhe nga rasti që kompania, e cila po kryenin punimet, mori një çek dëmshpërblimi prej më shumë 2 milionë euro nga shoqëria e sigurimeve “Eurosig”, pas dëmeve të shkaktuara gjatë përmbytjeve të muajit shkurt në zonën e Fierit dhe Vlorës, për t’u bërë thirrje të gjithë bizneseve që të sigurohen në rast fatkeqësish natyrore.

“Rasti konkrëet e tregon, që në rast se kjo kompani nuk do të kishte qenë e siguruar do të kishte qenë e pamundur që ky dëm i madh i shkaktuar nga përmbytja në kantierin e vetë të ishte dëmshpërblyer. Kështu që ne do të vazhdojmë ta forcojmë këtë urë midis shtetit dhe sigurimeve për të promovuar vazhdimisht mesazh për t’u siguruar”, tha Rama.

Ishte presidenti i kompanisë së sigurimeve “Eurosig”, Kadri Morina, ai i cili i dorëzoi çekun prej 2 milionë eurosh kompanisë italiane.

“Ky është një sigurim inxhinierik që ka bërë kompania italiane në momentin e fillimit të punimeve për rreziqet që ndodhin gjatë ndërtimit të by-pass-it të Fierit. Me këtë rast, kompania e sigurimit, “Eurosig”, pasi ka përllogaritur dëmin e shkaktuar tani po bën shpërblimin me të gjitha dëmet e ndodhura në përmbytjet që u bënë në muajin shkurt”, tha Kadria Morina, “Eurosig”.

Ndër të tjera, Kryeministri Rama shprehu bindjen që pas një kalvari të gjatë, by-passi i Fierit do të përfundojë shumë shpejt.

Top Channel