Linjë e re energjetike në Sarandë

13/12/2015 00:00

Në Sarandë pritet të ketë një furnizim të përmirësuar ndjeshëm me energji elektrike. Ka nisur nga puna ndërtimi i një linje të re 20 kilovolt dhe 17 kabinave elektrike, të cilat do të ndihmojnë që qyteti turistik të mos vuajë më nga ndërprerjet e energjisë elektrike gjatë sezonit veror.

Investimi prej 108 milionë lekësh është i gjithi nga buxheti i OSHEE-së.

“Nga linja 10 kilovolt, që ka qenë prej vitit 1970, e gjitha ajrore, linja është bërë 20 kv dhe është futur e gjitha nëntokë. Janë këtu 700 hotele dhe restorante, është zona më e ngarkuar, me 2 mijë abonentë të tjerë”, tha Adrian Çela, drejtor i OSHEE-së.

Shefi i OSHEE-së tha gjithashtu se, për disa javë do të jepet një tjetër fond për Sarandën, duke i shtuar që nga janari i ardhshëm edhe 30 kabina të reja.

“Në janar, është loti tjetër prej 330 milionë lekësh, përsëri për Sarandën. Vazhdon me 30 kabina të tilla deri në Ksamil, që përfshin Qafë Gjashtën e Metoqin, do të bëhen në Ksamil dhe në qendër të qytetit. Zëvendësohet kështu e gjithë linja 10 kV e ’70-s dhe përfshin edhe 16 mijë abonentë të tjerë në Sarandë. Këto janë investime që i bëjmë me fondet tona, janë të gjitha të ardhura tona të OSHEE-së. Nuk investojmë vetëm në ato zonat informale, ku kemi pasur probleme me humbjet dhe mospagesat, investojmë edhe në ato zona, ku abonentët janë korrektë dhe janë edhe zona të rëndësisë turistike”, tha më tej Çela.

Inspektimin e këtyre punimeve në Sarandë e ndoqi edhe kryeministri Rama, i cili u informua për të gjitha investimet që OSHEE po bën në këtë zonë.

Top Channel