Opozita, manifestim në Gjilan: T’i themi jo marrëveshjeve me Serbinë

12/12/2015 00:00

Tri subjektet opozitare në Kosovë organizuan këtë të shtunë në qytetin e Gjilanit manifestimin e radhës kundër marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Krerët e tre partive, të mbështetur nga qytetarët e komunave të Anamoravës, sërish i bënë thirrje kryeministrit Isa Mustafa dhe ministrit të Jashtëm Thaçi që të anulojnë marrëveshjet me Beogradin e Podgoricën, pasi sipas tyre, ato po e copëtojnë Kosovën.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se Mustafa dhe Thaçi e kanë humbur argumentin politik, prandaj, sipas tij, ata kanë vetëm argumentin e forcës dhe nuk duan ta dëgjojnë qytetarin sepse e shohin si rrezik.

“Isa Mustafa dhe Hashim Thaci, këta zaptues të shtetit, për hesape personale e kanë humbur argumentin politik ndaj këtyre kundërshtimeve. Sot, ky shesh këtu është dëshmi që ata nuk kanë argument tjetër përvec atij të forëcs Ata e dinë se qytetarët janë kundër këtyre marrveshjeve kriminale, por nuk duan ta dëgjojnë qytetarin dhe nuk duan ta shohin qytetarin. Pushteti i sotëm qytetarin e republikës e sheh si rrezik”, deklaroi Ymeri.

Edhe deputeti i Vetëvendosjes, Ismail Kurteshi, i cili sipas urdhrit të Gjykatës do të duhej të ishte në arrest shtëpiak, u paraqit para protestuesve nga ku u bëri thirrje krerëve të qeverisë të tërhiqen sa nuk është vonë, pasi sipas tij, populli ua ka kthyer shpinën. “Nuk ka forcë që na pengon ta mbrojmë këtë vend, të cilin me gjak e sakrifica e kemi sjellë deri këtu”, tha Kurteshi.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi nga ana e tij se shqiptarët askush nuk mund t’i detyrojë të pranojnë të këqijat. Ai tha se pushteti po përpiqet të frikësojë opozitën me arrestime, por sipas tij, pushteti tashmë ka dështuar në planin e tij ndaj opozitës.

“Jemi bërë vendi më i korruptuar në Evropë, më i pazhvilluari ekonomikisht. Klasa politike në pushtet, duke dashur të shpëtojë lëkurën e vetë, do të na kthejë Serbinë në Kosovë me disa marrëveshje që as Kushtetuta nuk I lejon. Ndërsa Mali i Zi thotë se nuk duam tokë të Kosovës, por pushtetart tanë prap duan t’ia japin”, tha Haradinaj.

Ndërsa kryetari i Nismës për Kosovn, Fatmir Limaj u bëri thirrje gjithë qytetarëve që pavarësisht kë kanë votuar, të bashkohen kundër pranisë së Serbisë në Kosovë. Limaj ftoi në këtë kauzë edhe intelektualët e vendit.

“Angazhimi dhe kërkesat tona tejkalojnë interesat e ngushta partiake. Opozita e bashkuar po zgjerohet, po fuqizohet me intelektualë nga anekënd Kosovës dhe ne ftojmë këta intelektualë të ngrenë kokën, të mos heshtin, të bashkohen sepse është momenti për të mbrojtur vendin tonë”, u shpreh Limaj.

Të papranueshme marrëveshjet i cilësuan edhe qytetarët e Gjilanit. Manifestimi i opozitës në këtë qytet u mbajt në sheshin “Agim Ramadani”, ku të ftuar ishin edhe veprimtarë të Luginës së Preshevës. 

Top Channel