Biznesi grek kërkon Shqipërinë, por në Shqipëri ka shumë procedura

12/12/2015 19:50

Rritja e vazhdueshme e taksave po e detyron biznesin në Greqi të eksplorojë gjithnjë e më shumë mundësitë e investimit në shtete të tjera.

Panagiotis Pantelis, një nga zërat më të rëndësishëm të ekonomisë greke, thotë se klima e pafavorshme për zhvillimin e një biznesi në vendin e tij është një shans i mirë për Shqipërinë, që shumë sipërmarrës grekë e shohin si treg potencial investimesh.

“Situata ekonomike është kritike për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. Shtimi i koefiçentit të taksave gjatë viteve të fundit nuk po lë biznesin të punojë normalisht. Ekziston ende një rritje sa i përket kontributeve sociale që është në diskutim nga qeveria dhe e gjithë kjo krijon një klimë të pafavorshme për sipërmarrjet që të vazhdojnë të punojnë në Greqi”, deklaron Pantelis.

Rreth 60.000 biznese greke, prej të cilave 21.000 shoqëri kanë transferuar aktivitetin e tyre në Bullgari gjatë viteve të fundit. Por pse ky vend preferohet më fort nga sipërmarrësit grekë?

“Në Bullgari për shembull, një biznesmen grek mund të hapë shoqërinë e tij brenda ditës. Niset në mëngjes dhe kthehet në Greqi në darkë, me shoqërinë e gatshme për të ushtruar aktivitetin e saj. Të njëjtat procedura në Shqipëri, vonojnë”, thotë Pantelis.

Zoti Pantelis thotë se një nga sektorët me më interes për biznesin grek është ai i manifakturës. “Duke qenë se ka një kosto minimale të krahut të punës që sot përbën shpenzimin më të madh për një shoqëri dhe nga ana tjetër edhe taksat që shkojnë nga 0 në 15%, është një klimë e favorshme”, nënvizon Pantelis.

Top Channel