Prokuroria mbyll dosjen “Becchetti”; 4 akuza ndaj italianit

11/12/2015 11:35

Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim dosjen hetimore për skemën e dyshuar mashtruese “KGE”, me një vlerë 38 milionë euro dhe shmangien e mbi 5 milionë eurove detyrime tatimore, ku ndaj Francesco Becchetti-t rëndojnë katër akuza.

Becchetti, për të cilin gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg në mungesë”, akuzohet për veprat penale falsifikim dokumentesh e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, vjedhje duke shpërdoruar detyrën e kryer në bashkëpunim, krijimin e skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar dhe pastrim i produkteve të veprës penale.

Përveç Becchetti-t, këto akuza rëndojnë edhe ndaj shtetasit tjetër italian, Mauro De Renzis dhe Liliana Condomiti. Të pandehur janë marrë edhe shtetasit  Eriona Troplini, Stavri Peci, Fetah Dervishi, Sokol Koçi, si edhe personat juridikë “Kalivaçi Green Energy”; “Energji”; “Cable System”; “400 KV” dhe “Agon Set”.

Prokuroria konsideron si organizator të skemës shtetasin italian Francesco Beccheti, i cili, në bashkëpunim me nënën e tij, shtetasen Liliana Condomitti, kanë qenë të përfshirë në një marrëdhënie financiare koncensionar-kontraktor për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në Shqipëri.

Sipas hetimit, koncensionari “KEG”, i kontrolluar në shumicë aksionesh nga një kompani e Francesco Becchetit, ka kontraktuar për punime kompaninë “Energji”, e kontrolluar në mënyrë absolute nga nëna e tij, Liliana Condomitti.

Nëpërmjet manovrave financiare, të shtrira në harkun kohor 2007-2013 dhe të zbuluara nga hetimi i Prokurorisë, këta dy shtetas kanë përfituar në mënyrë të paligjshme miliona euro, të cilat më pas i kanë investuar në shoqëritë “Cable System”, “400KV” dhe “Fuqi”, të administruara po prej tyre, në bashkëpunim edhe me shtetasit Mauro de Renzis dhe shtetasen Eriona Troplini, ndërsa një pjesë të parave të përfituara nga manovrat financiare i kanë depozituar në disa banka.

Po ashtu, rezulton se kompania “Energji”, për të ardhurat që ka përfituar, duhet të paguante detyrimet tatimore. Sipas kontrollit nga Dega e Tatim-Paguesve të Mëdhenj, rezulton se “Energji” duhet t’i paguante shtetit një shumë prej rreth 770 milionë lekë detyrime tatimore, të cilat nuk janë paguar.

Për të gjitha transfertat, të cilat arrijnë në miliona euro, janë lejuar në mënyrë të kundërligjshme në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri.

Top Channel