“Për Gjermaninë”, kështu e ka titulluar diplomati Bashkim Zeneli librin e tij, një histori diplomatike dhe kujtime, nga koha kur ai ishte ambasador i Shqipërisë në Gjermani.

Zeneli, përmes këtij libri ofron një perspektivë të re dhe zbulon fakte të panjohura të marrëdhënieve shqiptaro-gjermane.

“Besoj se libri ka edhe disa mesazhe që dalin natyrshëm për politikën gjermane, diplomacinë gjermane, për përgjegjësinë e qeverisjeve dhe politikës ndaj qytetarëve, për raportet e politikës me parlamentin, për gjithçka. Sot në Europë, pa Gjermaninë nuk bëhet asgjë dhe me Gjermaninë bëhet gjithçka”, u shpreh Zeneli në fjalën e tij.

Paskal Milo, ish-ministër i Punëve të Jashtme, i cili ka shkruar dhe parathënien, thotë se libri është një histori politiko-diplomatike që fare mirë mund të cilësohet një histori e luftës së ftohtë.

“Libri i ambasadorit Zeneli ka një veçori që e dallon. Është një libër me vështrim historik, të mbështetur në një numër shumë të madh librash të zhanreve të ndryshme, qoftë monografi, jetëshkrime apo ditare të protagonistëve kryesorë të pas-Luftës së Dytë Botërore dhe natyrisht të burrave të shtetit gjerman. Libri ka jo vetëm një dimension historik, por edhe kulturor, sepse bashkimi përmes shkeljes së monumenteve të kulturës dhe vendeve të ndryshme historike në Gjermani, ai na i ka sjellë në libër”, tha Milo.

Ambasadi i Republikës Federale Gjermane në Tiranë, Helmut Hoffman vlerësoi misionin diplomatik të Bashkim Zenelit në vëndin e tij. Ai tha se shpresonte që ky libër do të jetë një shtysë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Të pranishëm në promovim ishin kryeminisrtri Rama, kryeparlamentari Meta, kryetari i Bashkisë së Tiranë, Veliaj, deputetë e diplomatë.

Top Channel