Kosovë, Mustafa: 2015-a, viti i ndryshimeve të mëdha

11/12/2015 00:00

Qeveria e Kosovës është në prag të hartimit të strategjisë kombëtare për zhvillimin ekonomik, e cila do të përcaktojë prioritetet e larta për – siç thuhet, – rritjen e përshpejtuar ekonomike.

Kryeministri Isa Mustafa, duke folur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik tha se, kjo strategji do të fokusohet në disa fusha themelore si kapitali njerëzor, sundimi i ligjit, rritja e konkurrencës dhe në fushën e infrastrukturës.

“Te kapitali njerëzor, masat e propozuara do të adresojnë çështje lidhur me arsimin parauniversitar, ndërlidhjen midis arsimit të lartë dhe tregut të punës, përfshirjen e grupeve të margjinalizuara dhe potencialin e kapitalit njerëzor jashtë vendit. Ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit do të adresojnë përmirësimin e shërbimeve publike. Është ky një dokument, që do të përmbajë një pako të prioriteteve të larta, zbatimi i të cilave gjatë 5 viteve të ardhshme do të çojnë Kosovën drejt objektivit të rritjes së përshpejtuar ekonomike dhe të përmirësimit të standardit të jetës”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Kreu i ekzekutivit kosovar e vlerësoi 2015-n si një vit të ndryshimeve të mëdha në aspektin e reformave ekonomike, përkundër faktit që – siç tha ai vet, – qeveria nuk është e kënaqur me bilancin tregtar dhe raportin e produkteve të importuara, me ato që Kosova eksporton.

“Janë për t’u vlerësuar stabiliteti i çmimeve dhe norma e çmimeve që sillet në zero, që ofron kushte të sigurta për bizneset, si dhe disa prej trendeve pozitive të eksportit, përkundër asaj që s’jemi të kënaqur me bilancin tregtar me jashtë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Në qendër të fjalës së Mustafës ishte sërish nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në, si një arritje thelbësore, për çfarë rikujtoi se kjo marrëveshje do t’u mundësojë bizneseve kosovare të kenë qasje në një treg më të madh, prej 500 milionë konsumatorësh.

Top Channel