Korçë, dhunohet vakëfi i ish-kishës së Shën Gjergjit

11/12/2015 11:30

Vakëfi që identifikon ish-kishën e Shën Gjergjit në qendër të qytetit të Korçës është dhunuar në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje. Akti barbar nga persona të paidentifikuar ka sjellë dëmtimin e mozaikut që simbolizon një prej kishave të shkatërruara në vitin 1967.

Vendi i shenjtë është dëmtuar në pjesën e bazamentit, janë thyer me gurë dhe tulla mermeret rrethuese si edhe mbajtësja e qirinjve, ndërsa ende nuk dihen autorët e këtij akti të dhunshëm.

Kisha e Shën Gjergjit, e ndodhur në krah të pedonales ku sot ndodhet Biblioteka “Vangjush Mio”, është ndërtuar me kontributin e qytetarëve të Korçës, por në vitin 1967 u rrëzua si shumë objekte të tjera kulti në vend për shkak të regjimit.

Ky nuk është i vetmi akt i dhunshëm i regjistruar në qytetin e Korçës, ndërsa shumë objekte kulti shpesh janë bërë pre’ e grabitësve të cilët jo vetëm vjedhin kishat, por edhe shkatërrojnë elementet e vyera brenda tyre.

Top Channel