Gjoba ndaj PD-së, inspektori i bashkisë: Më falsifikuan firmën

10/12/2015 12:50

Inspektori i Policisë Bashkiake në kryeqytet, Besmir Karaj, është personi emri i të cilit ndodhet në gjobën 16 milionëshe të depozituar ndaj Partisë Demokratike. Por ndërsa pas protestës së 8 dhjetorit gjoba e publikuar nga bashkia u servir si e firmosur nga Karaj, ky i fundit u paraqit për të kallëzuar falsifikimin e firmës së tij.

Inspektori e mbështet kërkesën për hetime me argumentin se detyrën e ka marrë në orën 15.00, kohë në të cilën protesta kishte përfunduar: “Është absurde sepse nuk kam qenë në shërbim në atë moment. Nuk e kuptoj se si mund të falsifikohet firma. Më është kërkuar blloku im i gjobave nga eprorët e mia dhe ia dorëzova. Në orën 19:00 shoh që i kisha vënë gjobë PD-së. Është absurde, nuk mund të vëmë më shumë 5 milionë lekë të reja gjobë”.

Këtë qëndrim, inspektori e ka shprehur edhe para prokurorëve: “Pyes zotërinë që i dorëzova bllokun tim të gjobave, me urdhër të drejtuesit, e më kthen përgjigje që bllokun tim ia kishte dhënë drejtoreshës së kabinetit të Bashkisë së Tiranës. Kur e pyeta si e kishte plotësuar, më tha se e kishte bërë për spektakël mediatik”.

Por çfarë do të ndodhë tashmë me këtë punonjës që ka kallzuar institucionin ku është punësuar? Vetë ai thotë shkurt: “Patjetër që do të shkoj në punë”.

Gjoba në adresë të Partisë Demokratike ishte motivuar me dëmtimin e pronës dhe ndotjen e mjedisit në qytetin e Tiranës.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel