Turizmi në Malin e Zi, në Tiranë prezantohen paketat dimërore për shqiptarët

09/12/2015 00:00

Mali i Zi prezantoi ofertën turistike dimërore për turistët shqiptarë, të cilët renditen ndër 5 kombësitë me numrin më të madh të vizitorëve në vendin fqinj.

Ljiljana Çukiç, përfaqësuese e Organizatës Kombëtare të Turizmit të Malit të Zi, duke dhënë edhe një këshillë për turizmin shqiptar thotë se, shtimi i numrit të turistëve kërkon ofrimin e risive për çdo vit.

“Veç aktiviteteve të zakonshme, që kanë të bëjnë me skiimin dhe skiimin nordik, këtë vit kemi përfshirë edhe disa aktivitete që kanë të bëjnë me shpirtin e aventurës, që shqiptarët mund ta kenë. Ata mund të kënaqen me pistat e skiimit ‘offroad’, ecje me shputa bore dhe aktivitete të tjera”, tha Ljiljana Çukiç, Organizata Kombëtare e Turizmit të Malit të Zi.

Çukiç thotë se, një tjetër mënyrë për të afruar sa më shumë turistë, është ofrimi i paketave turistike rajonale, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

“Besoj te shkëmbimi i përvojave dhe njohurive, e përmes kësaj mund të krijojmë paketa të përbashkëta dhe t’ua ofrojmë tregjeve të treta, më të largëta, që janë të interesuara të kalojnë pushimet në rajonin tonë”, tha më tej Ljiljana Çukiç.

Turizmi përbën degën kryesore ekonomike të vendit fqinj, që deri në tetor – sipas Organizatës Kombëtare të Turizmit malazez, – e kanë vizituar një milion e 500 mijë turistë, prej të cilëve 30 mijë janë shqiptarë.

Top Channel