I është dhënë sot lamtumira e fundit edhe drejtorit të INSTAT-it, Gjergj Filipi. Vetëm 38 vjeç, baba i dy fëmijëve të mitur, Gjergj Filipi ndërroi jetë dy ditë më parë në një klinikë të specializuar, ku po luftonte me sëmundjen e rëndë e të pashërueshme.

Në ambientet e Muzeut Kombëtar është vendosur trupi i të ndjerit, ku miq, bashkëpunëtorë, familjarë e njerëz të shumtë bënë homazhe dhe i dhanë lamtumirën e fundit Gjergjit.

Gjergj Filipi la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, por edhe keqardhjen e madhe te miqtë, të cilët ishin të shumtë dhe sot vuajnë humbjen e tij.

Filipi, që prej 24 tetorit 2013 drejtonte Institutin e Statistikave, ndërsa më parë ka mbajtur postin e drejtorit të kërkimeve në Institutin AXHENDA.

Në krye të INSTAT-it, në vetëm pak muaj e ktheu këtë institucion në një qendër të vërtetë shkencore për mbledhjen e statistikave, duke e hapur dhe bërë atë dobiprurës për të gjithë shqiptarët.

Gjergj Filipi ka qenë konsulent për një sërë projektesh në fushat e zhvillimit dhe politikave ekonomike të financuara nga Bashkimi Europian, Banka Botërore dhe institucione të tjera të mirënjohura ndërkombëtare.

Ai ka patur disa detyra shtetërore që lidheshin kryesisht me çështjet e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Mbante titullin doktor i shkencave, kishte veprimtari universitare dhe mjaft punime shkencore. Gjergji ishte mjaft i njohur për mediat për shak të natyrës së tij miqësore, por edhe profesionale. Më shumë si drejtor i INSTAT-it, njerëzit e mediave e njihnin Gjergjin si kolegun që pëlqente të bënte analiza dhe krijonte produkte të reja.

Ndaj, ne gazetarët e Top Channel, që e kemi patur edhe bashkëpunëtor, e kemi të vështirë që të pranojmë ndarjen e tij nga jeta dhe me dhimbje ngushëllojmë familjen e tij.

Top Channel