Berlin, konferencë dhe ekspozitë për 25-vjetorin e demokracisë

09/12/2015 15:30

Pak kilometra larg memorialit të Murit të Berlinit, gjermanët e qendrës së djathtë të fondacionit politik “Konrad Adenauer”, i kushtuan rëndësi 25-vjetorit të rënies së komunizmit në Shqipëri.

Fondacioni mban emrin e një prej themeluesve të Europës së bashkuar dhe çon përpara trashëgiminë e Gjermanisë së bashkuar se Helmut Kolit, duke promovuar vetëm një koncept-demokracinë.

Ish kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ishte e ftuar nga Tirana për të reflektuar rreth sfidave të demokracisë në Shqipëri, 25 vjet pas rënies së komunizmit. Ekspozita fotografike risolli në vëmendje pamje të momenteve më dramatike të Shqipërisë së viteve ‘90 dhe ‘91, kur në vend po rikthehej fjala e lirë, liria e besimit dhe partitë politike.

Sipas Jozefina Topallit, pas 25 viteve në liri, shqiptarët kanë arritur pjekurinë e duhur për të kuptuar se çfarë nuk duhet bërë në Shqipëri.

“Ne, bashkë me ne dhe ju si aleatët tanë, nuk duhet t’u japim besim të korruptuarve. Është ai armiku ynë i madh dhe ky është momenti ideal që ne të sillemi si europianë në shtëpinë tonë. Korrupsioni është varrmihës i demokracisë, njësoj si komunizmi është varrmihës i lirisë”, është shprehur Topalli.

“Themeli i demokracisë është besimi tek konkurrentet politikë, të cilët duhet t’u përmbahen ligjeve dhe rregullave të demokracisë dhe të bëjnë më të mirën për vendin”, tha Hildigund Neubert – Zv/Presidente e Fondacionit “Konrad Adenaurer”.

Gjatë qëndrimit në Berlin, Jozefina Topalli, u takua në një drekë pune me disa përfaqësues të Parlamentit dhe qeverisë, mes të cilëve kryetari i Bundestagut, Norbert Lammert. Situata e demokracisë në Shqipëri ishte në fokusin e takimit, gjatë të cilit zonja Topalli kërkoi mbështetjen e Gjermanisë për të dalë nga ajo që e quan një udhëkryq mes oligarkisë dhe demokracisë.

Top Channel