Ndahet nga jeta Gjergji Filipi, drejtori i INSTAT

08/12/2015 00:10

Gjergji Filipi, drejtor i përgjithshëm i Institutit të Statistikave nuk jeton më. Ai u nda nga jeta, në moshën 38-vjeçare, mbrëmjen e së hënës, teksa kurohej në një klinikë të specializuar jashtë vendit.

Ai ishte prekur nga një sëmundje e pashërueshme të cilën e zbuloi vonë. Gjergji Filipi që prej 24 tetorit 2013 drejtonte Institutin e Statistikave. Më parë, ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Kërkimeve në Institutin AXHENDA.

Gjegji Filipi ka qenë konsulent për një sërë projektesh në fushat e zhvillimit dhe politikave ekonomike të financuara nga Bashkimi Europian; Banka Botërore dhe institucione të tjera të mirënjohura ndërkombëtare.

Ai ka patur disa detyra shtetërore, që lidheshin kryesisht me çështjet e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Mbante titullin “Doktor i shkencave”, kishte veprimtari të dukshme universitare dhe mjaft punime shkencore.

Gjergji ishte mjaft i njohur për mediat për shkak të natyrës së tij miqësore, por edhe profesionale. Më shumë si drejtor të INSTAT,  ne njerëzit  e mediave e njohim si kolegun që pëlqente të bënte analiza dhe krijonte produkte të reja.

Kjo frymë transparence dhe profesionalizmi u pasqyrua dhe tek institucioni që drejtoi,  duke e bërë atë më të hapur dhe të kuptueshëm, dhe dobiprurës për qytetarët.  Ndaj ne gazetarët e Top Channel, që e kemi patur edhe bashkëpunëtor, e kemi të vështirë që të pranojmë ndarjen e tij nga jeta dhe me dhimbje, ngushëllojmë familjen e tij. 

Top Channel