Kosovë, Qeveria “Mustafa-Thaçi” në një vit

08/12/2015 00:00

Numri i madh i ministrive, 21 gjithsej, e vuri në qendër të kritikave qeverinë e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, që në ditët e para të krijimit të saj.

Pabarazia gjinore, me vetëm dy femra në kabinet, por edhe numri i madh i posteve zëvendësministrore, nga dy për secilën ministri, e që do të zinin vend pak muaj më vonë, e shoqëruan debatin në ditët e para.

Por përtej kësaj, pakënaqësia sociale e kosovarëve, që jetojnë në nivel të lartë varfërie e papunësie, u bë edhe më e dukshme me t’u formuar qeveria e re. Mijëra shtetas braktisën Kosovën në fund të 2014-s e në fillim të 2015-s, në kërkim të një jete më të mirë në Perëndim.

Kërcënimet për greva e protesta nga punonjësit publikë u bënë të përditshme, kryesisht për zbatimin e kontratës kolektive, por edhe për një premtim parazgjedhor të ish-kryeministrit Thaçi, për rritjen e pagave.

Këto ishin arsye të mjaftueshme, që opozita të ngrihej kundër qeverisë “Mustafa-Thaçi”. Arsye duket se kishte shumë. Propozimi i kryeministrit Isa Mustafa për ta futur gjigantin metalurgjik “Trepça” në pronësi të shtetit dhe tërheqja e shpejtë pas reagimit të qeverisë së Serbisë, i dha një motiv të fortë opozitës, që të niste akuzat se edhe qeveria “Mustafa” po binte prè e ndikimit të Serbisë në Kosovë.

Ndërkohë, për ta forcuar edhe më shumë argumentin e opozitës, mjaftoi deklarata fyese për viktimat e luftës, që erdhi nga ministri i “Listës Serbe”, Aleksandër Jablanoviç. Një situatë e tillë nxori në rrugë mijëra qytetarë, jo vetëm simpatizantë të opozitës.

Ndërsa zhvillime të tilla ndodhën në muajin e parë të qeverisjes, në janar, kabineti i qeverisë “Mustafa” kishte pak mundësi të promovonte programin qeverisës. Nuk përfundoi gjithçka, por situata dukej më e qetë, kur kryeministri Mustafa vendosi ta shkarkojë ministrin serb, Aleksandër Jablanoviç pas një sërë protestash.

Qetësia brenda institucioneve bëri që qeveria të miratonte programin qeverisës në muajin shkurt, i cili dallohej për reforma në paketën fiskale. Opinioni e mirëpriti vendimin e qeverisë për faljen e borxheve të bizneseve dhe qytetarëve, që i kishin ndaj shtetit deri në vitin 2008.

Procedimi i ligjit për krijimin e Gjykatës Speciale, që pritet të gjykojë krimet e supozuara të UÇK-së, ishte një tjetër temë e ndjeshme, që duket se i ra për hise qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa.

Dialogu me Serbinë ishte një detyrë që duhej vazhduar, por për të cilën kritikat e opozitës bëheshin çdo ditë e më të ashpra.

Dhe, ashtu siç nisi, viti i parë i qeverisë “Mustafa” duket se do të përfundojë: me protesta jo vetëm në sheshe. Muaji gusht riktheu reagimin e fortë opozitar, këtë herë jo ndaj një ministri serb, por ndaj kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit, të cilët vunë firmat në dy marrëveshje, të dëmshme sipas opozitës.

Nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin, premtimet për liberalizim vizash, por as vizitat e zyrtarëve më të lartë europianë e amerikanë nuk ndryshuan qëndrimin e opozitës.

Këtë të martë, kabineti i qeverisë “Mustafa” nuk e prezantoi fare bilancin e punës njëvjeçare. Kushtet e opozitës në këmbim të rikthimit të normalitetit në institucione janë anulimi i dy marrëveshjeve, njëra me Serbinë për krijimin e Asociaconit të komunave me shumicë serbe; dhe tjetra me Malin e Zi, për përcaktimin e vijës kufitare. Një sfidë e radhës e qeverisë së kryeministrit Mustafa, që duhet kapërcyer për të nisur vitin e dytë të qeverisjes.

Top Channel