Kerry uron Shqipërinë për Ditën Kombëtare të Rinisë

08/12/2015 10:15

Me anë të një mesazhi, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka uruar Shqipërinë me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë.

“Në emër të presidentit Obama dhe popullit amerikan ju bëj urimet më të sinqerta për të gjithë shqiptarët, në Ditën Kombëtare të Rinisë, në 25-vjetorin e lëvizjes studentore që çoi në rrëzimin e komunizmit më 8 dhjetor të vitit 1990”, thotë zoti Kerry në mesazhin e tij.

Ky tranzicion historik, shprehet më tej ai, është mbeshtetur nga udhëheqësit e lëvizjes studentore, është përforcuar nga qytetarët që marshuan dhe demonstruan kundër diktaturës dhe është ndihmuar nga ish-anëtarët e guximshëm të partisë, të cilët ndihmuan në vendosjen e sundimit popullor.

“Me këtë rast, ne njohim përparimet e mëdha që Shqipëria ka bërë në këtë çerek shekulli. Sot, Shqipëria është një aleat i NATO-s dhe kontribues për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, vlerëson shefi i diplomacisë amerikane.

Shqipëria, vijon ai, është në rrugën drejt integrimit të plotë euro-atlantik, duke bërë reformat e nevojshme për të forcuar institucionet e saj demokratike dhe per të zhvilluar një ekonomi konkurruese të tregut të lirë.

“Shtetet e Bashkuara vlerësojne miqësinë e ngrohtë me qeverinë dhe popullin shqiptar dhe shikojnë në të ardhmen thellimin e këtij partneriteti”, ka shtuar Kerry.

Top Channel