Humbja e Filipit, Rama: Iku një prej miqve tanë më të mirë

08/12/2015 00:00

Pavarësisht tensioneve me të cilat është përballur gjatë kësaj të marte, për shkak të zhvillimeve të dhunshme të protestës së PD-së përpara Kryeministrisë dhe te bunkeri muze i Ministrisë së Brendshme, Edi Rama i ka dedikuar një status në rrjetin social Facebook edhe një prej miqve më të mirë të qeverisë së tij, Gjergj Filipit.

Ish-drejtori i Institutit të Statistikave u nda nga jeta vetëm pak çaste përpara mesnatës mes të hënës dhe të martës, teksa ndodhej i shtruar në një spital në Athinë për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme.

“Një sëmundje e rëndë ndau befasisht nga jeta mikun tonë të mirë Gjergji Filipi. I edukuar, i ditur, i papërtuar në lexime e në aktivitetin e tij të përditshëm, Gjergji drejtoi në këto dy vite Institutin e Statistikave të Shqipërisë, të cilit i ktheu paanshmërinë, profesionalizmin, transparencën, me ide të qarta dhe vullnet të admirueshëm. Sot INSTAT-i humbi drejtuesin e duhur, shteti shqiptar një administrator të spikatur. Jeta vazhdon, askush nuk është i pazëvendësueshëm përveçse në rrethin e vet shoqëror dhe familjar, ku Gjergji la një boshllëk, që i tillë do të mbetet gjithmonë”, shkruan Rama.

Top Channel