Zbulohet lokali ku shitej kokainë dhe organizoheshin lojëra fati në Shkodër, arrestohet pronari 26-vjeçar Në protestën e opozitës u shënuan akte të dhunshme edhe gjatë zhvillimit të saj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, teksa dhjetëra pjesëmarrës hodhën sende të ndryshme në drejtim të godinës së Kryeministrisë, duke e dëmtuar në pjesën e përparme të saj, ndërsa nuk munguan as përplasjet me policinë.
Një pjesë e bulevardit dhe hyrja e godinës së Kryeministrisë janë shndërruar tashmë në objekt hetimi nga Policia e Shtetit. Me zhvendosjen e protestës, teksa ajo zhvillohej te bunkeri në afërsi të Ministrisë së Brendshme, ekspertët nisën menjëherë marrjen e provave, të cilat do t’i nënshtrohen analizave të mëtejshme.
Nga ajo çfarë mund të shihet me sy të lirë edhe nga kalimtarët, objektet me të cilat u godit godina e Kryeministrisë ishin të ndryshme, që nga tymueset, pllaka të bulevardit, vezë dhe ngjyrues, të cilët kanë prishur imazhin e godinës, por dhe sende të tjera të forta, që kanë thyer xhamat e hyrjes kryesore të Kryeministrisë.
Ndërkaq, gjatë orëve të pasdites, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka publikuar në Facebook disa fotografi të riparimeve të bulevardit dhe të dëmeve të tjera, të shkaktuara gjatë protestës.
“Nis në kohë rekord riparimi i Tiranës nga shkatërrimi sot. E gjithë bashkia, me qindra punëtorë në terren, brenda dy orësh riparuam dëmet, pastruam plehrat dhe rindezëm zbukurimet. Shumë respekt për protestat, jo për vandalët”, – shkruan kryebashkiaku Veliaj në Facebook.
Top Channel