Arrestohet deputetja e Vetëvendosjes

08/12/2015 00:00

Policia e Kosovës arrestoi paraditen e së martës deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Haxhiu u prangos në momentin që ishte duke udhëtuar për  një tubim të opozitës në Gjilan. Lidhur me këtë ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje.

“Kjo qeveri kriminale po përdor çdo mjet për të shtypur opozitën që t’i realizojë projektet e Serbisë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.

Albulena Haxhiu u arrestua për trazirat e shkaktuara në seancat e fundit parlamentare. Lidhur me këto veprime, partitë opozitare thonë se ato janë në funksion të mbrojtjes së sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe kundër marrëveshjeve me Serbinë e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

“Nëse Qeveria e Kosovës nuk guxon t’i tërheqë marrëveshjet, atëherë le t’i hedhë në referendum dhe le të vendosë populli i Kosovës për to. Nëse as referendumin nuk guxon ta organizojë, atëherë duhet që sa më parë vendi të shkojë në zgjedhje”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.

Top Channel