Terrorizmi, ekspertët e sigurisë: Populli të informohet për shkallën e rrezikut

07/12/2015 15:20

Misionarët e Pajtimit Kombëtar mendojnë se për të parandaluar terrorizmin në vendin tonë nuk janë të nevojshme vetëm pasat e strukturave shtetërore.

Gjatë takimit të asamblesë, misionarët deklaruan se ata duhen përfshirë në këtë proces në mënyrë që të reklamohen vlerat e harmonisë dhe bashkjetesës fetare në Shqipëri.

“Fakti që ka patur disa shqiptarë të rekrutuar për të luftuar në Siri është alarmant dhe përbën një rrezik serioz për stabilitetin në trevat tona e më gjerë. Në këtë moment të vështirë, ne jemi përkrah dhe mbështesim fuqishëm Komunitetin Mysliman Shqiptar në angazhimin e tij për të luftuar këto rryma”, deklaroi misionari Gjin Marku.

Por ish-zyrtari i Policisë së Shtetit, Bajram Yzeiraj pohoi se, atëherë kur masat e policisë u ngritën, opinioni publik duhet të ishte informuar pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare mbi shkallën e rrezikut.

“Pavarësisht se ka probleme që përbëjnë sekret për shtetin, unë nuk e gjykoj qëndrim pozitiv faktin që nuk i është thënë opinionit publik se në çfarë konkluzioni kanë arritur dy organizmat shtetërorë, njëri në Presidencë dhe tjetri në Kryeministri, si e vlerësojnë gjendjen, rrezikun dhe kërcënimin, në ç’shkallë e vlerësojnë dhe çfarë masash ka marrë shteti, ekzekutivi”, u shpreh Yzeiri.

Aktualisht policia dhe shërbimi sekret po vijojnë me masat e përforcuara, pas sulmeve terroriste në Francë.

Top Channel