Shoqata për Autonomi Vendore, Veliaj: Decentralizimi, në më pak se 6 muaj

07/12/2015 00:00

Është mbajtur në Tiranë mbledhja e parë e Shoqatës për Autonominë Vendore, ku të pranishëm ishin vetëm kryetarët e majtë të bashkive.

Gjatë fjalës së tij, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëherazi i zgjedhur si kryetar i kësaj shoqate, duke e konsideruar këtë moment si shumë të rëndësishëm për pushtetin vendor, ka bërë apel që koha tranzitore e reformës të mos jetë 6 muaj.

“Edhe teksa flasim, paralelisht komisionet në Parlament janë duke diskutuar kompetencat e reja që marrin bashkitë, si ato të pyjeve, arsimit parashkollor, emergjencave, zjarrfikëseve, të mbrojtjes civile, shërbimit shëndetësor parësor, etj. Po shkojmë nga bashki, që deri dje kishin rreth 13 kompetenca kryesore, në bashki me 30 kompetenca kryesore. Koha tranzitore e reformës nuk mund të jetë 6 muaj, duhet të jetë shumë më e shkurtër, sepse na duhen dispozita, me të cilat ne të veprojmë që në janar. Nuk mund të presim 6 muaj për administrimin e këtyre kompetencave. Ne avokuam që sot, që ne nuk mund të marrim vetëm decentralizim të halleve e problemeve, pa decentralizuar financat dhe zgjidhjet për këto probleme”, tha kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Pavarësisht se nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje, Veliaj theksoi se nuk do të rreshtë së ftuari për bashkëpunim në këtë tryezë edhe kryetarët e 15 bashkive të fituara nga e djathta, në zgjedhjet e 23 qershorit.

Top Channel