Pjesëmarrja e grave në politikë, Rama: Kemi avancuar procesin

07/12/2015 12:10

Megjithë sanksionimin në ligj të përfaqësimit të barabartë mes grave dhe burrave në këshillat bashkiakë, përjashtuar Tiranën, raporti mes tyre mbeti sërish jo i drejtë në disfavor të femrave.

Megjithëse shkaku ishte përfaqësimi i partive të voglave me nga një anëtar në këto këshilla dhe që i pari i listës së tyre ishte një burrë, Aleanca Gjinore që publikoi këto të dhëna kërkoi nga drejtuesit e partive të ecin shpejt në procesin e përfaqësimit të barabartë mes grave dhe burrave. Zëri i kësaj kërkese ishte drejtuesja e kësaj Aleance Mirela Arqimandriti, mbështetur nga nënkryetarja e kuvendit Valentina Leskaj për të cilën vendi nuk mund të ecë përpara nëse gjysma e popullsisë është e nënvlerësuar. Sugjerimet e tyre gjetën mbështetjen e kryeministrit.

“Unë nuk jam feminist”, deklaroi Rama.

Për kryeministrn që nuk e ka fshehur kurrë besimin të gratë dhe bashkëpunimin me to, duhet të rritet punësimi i tyre në administratë dhe në sektorin privat, me bindjen se thënia më e drejtë është ajo e Margaret Thacer:

“Nëse keni për të lënë diçka pyesni një burrë, nëse keni për të bërë diçka pyesni një grua”, tha Rama.

Në aktivitetin për fuqizimin e grave në vendimmarrje, Edi Rama nuk fshehu pakanaqësinë ndaj burrave në administratë, kur solli shembullin e tyre në tatime:

“E kam vënë re këtë fenomen në këtë periudhën e luftës së informalitetit që shumë burra nga tatimet ikën me leje lindje. Unë besoj që e morrën lejen e liundjes për t’iu shmangur përballjes me veteveten, pasi për shumë inspektorë të tatimeve ishte shumë e vështirë që të shkonin e të kërkonin llogari tek bizneset e vogla, me të cilat kishin bërë flirte korruptive për një kohë të gjatë duke mos i pasqyruar si pjesë të regjistrit. Burrat janë përgjithësisht dembelë e parazitë,ndërsa gratë punëtore dhe të afta për të kompensuar parazitizmin e burrave”, vijoi kryeministri.

Megjithë përparimin the Rama, sot ka një hendek të thellë mes shifrave të punësimit të grave dhe burrave, sikundër statistikat tregojnë se për të njëjtin pozicion pune një femër paguhet 35 përqind me pak. Procesi ka vështirësi tha kreu i qeverisë, pa iu shmangur angazhimit për ta nisur nga administrata korrigjimin e këtyre të dhënave. Kjo jo si ndihmë për gratë, por si shprehje të besimit të tij tek puna e tyre.

Top Channel